Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka njoftuar se përmes misioneve diplomatike është në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët e Republikës së Kosovës që ndodhen në vendet e Lindjes së Mesme, me qëllim të përcjelljes së gjendjes së tyre dhe ofrimit të mbështetjes së nevojshme.
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga MPJD, aktualisht në:
Izrael ndodhen 21 qytetarë të Republikës së Kosovës;
Arabia Saudite 331 qytetarë;
Emiratet e Bashkuara Arabe rreth 400 qytetarë rezidentë dhe 70 turistë të lajmëruar deri më sot;
Katar 75 qytetarë;
Kuvajt përafërsisht 60 qytetarë;
Bahrein 4 qytetarë;
Oman 2 qytetarë.
Sipas informacioneve nga misionet diplomatike të Kosovës, të gjithë qytetarët aktualisht janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ministria ka bërë të ditur se po punon në mënyrë të vazhdueshme dhe të koordinuar me autoritetet e shteteve përkatëse për të identifikuar dhe siguruar opsionet më të përshtatshme për evakuimin e qytetarëve, nëse një gjë e tillë paraqitet si e nevojshme.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe ka njoftuar se kufijtë tokësorë me Omanin mbeten të hapur. Aktualisht janë të disponueshme edhe disa opsione fluturimi, nga Rijadi drejt Frankfurtit dhe nga Xheda drejt Prishtinës.
Megjithatë, institucionet vendore të të gjitha shteteve të rajonit rekomandojnë që në këtë fazë të mos ndërmerren udhëtime deri në qetësimin e plotë të situatës së sigurisë. Autoritetet përkatëse kanë bërë të ditur se çdo udhëtim i ndërmarrë në rrethana të tilla bëhet me përgjegjësi individuale, pasi shtetet nuk mund të marrin përgjegjësi për pasojat e mundshme nga zhvillimet e paparashikueshme.
Rekomandimet për qytetarët:
Të qëndrojnë të qetë dhe të ndjekin me përpikëri udhëzimet e autoriteteve lokale;
Të shmangin lëvizjet e panevojshme deri në njoftimin e radhës;
Të qëndrojnë në kontakt të rregullt me përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Për nevoja urgjente, qytetarët mund të kontaktojnë ambasadat përkatëse në Emiratet e Bashkuara Arabe, Izrael, Arabinë Saudite dhe Katar.
MPJD ka theksuar se mbetet maksimalisht e angazhuar për sigurinë dhe mirëqenien e çdo qytetari të Republikës së Kosovës dhe do të vazhdojë të informojë rregullisht për çdo zhvillim të ri./BS




