Moti i acartë ka shkaktuar kaos në transportin ajror në disa pjesë të Evropës, duke detyruar mbylljen e përkohshme të aeroporteve dhe ndërprerjen e fluturimeve.
Aeroportet ndërkombëtare në Budapest (Hungari), Bratislavë (Sllovaki) dhe Vjenë (Austri) u mbyllën përkohësisht të martën në mëngjes për shkak të kushteve ekstreme të motit, të shoqëruara me shi të ngrirë dhe temperatura shumë të ulëta.
Sipas një zëdhënësi të Aeroportit të Vjenës, një shtresë e trashë akulli ishte formuar në pistat e uljes dhe ngritjes, duke e bërë të pamundur operimin normal të fluturimeve. “Pistat vazhdonin të ngrinin përsëri pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për pastrimin e tyre,” deklaroi ai. Si pasojë, disa fluturime u devijuan drejt aeroporteve të tjera.
Autoritetet aeroportuale njoftuan se aeroportet e Vjenës dhe Bratislavës pritej të rihapeshin gjatë mëngjesit, ndërsa situata po monitorohej vazhdimisht.
Ndërkohë, Aeroporti i Pragës në Çeki u detyrua të operojë në një “modalitet shumë të kufizuar”, siç u bë e ditur përmes një njoftimi në llogarinë zyrtare në rrjetin social X. Shiu i ngrirë e ka vështirësuar ndjeshëm pastrimin e pistave, duke shkaktuar vonesa të shumta.
Zyrtarët paralajmëruan se vonesa pritet të ketë gjatë gjithë ditës, ndërsa mbërritjet janë kufizuar për të garantuar sigurinë e udhëtarëve dhe stafit, teksa ekipet teknike vazhdojnë punën për shkrirjen e akullit në pistën kryesore.
Pasagjerëve u është këshilluar të kontrollojnë vazhdimisht statusin e fluturimeve të tyre dhe të kontaktojnë linjat ajrore për informacion të përditësuar./TEL




