2.6 C
Zurich
Sunday, January 25, 2026
spot_img
spot_img

Mos të flasim për njerëzillëk, por të flasim me njerëzillëk

Duhet ti lexosh

Nga Prof. Dr. Xhavit LIPAJ, Andermatt

Mos ma përmend fjalën “njerëzillëk”

si një dekor mbi mur,

si një citat i bukur

që vishet vetëm në festa.

Mos ma thuaj si teori,

si moral i shtypur në libra

që pluhuri i viteve

e ka bërë më të rëndë se vetë zemra.

Mos fol për të

nëse zëri yt nuk di të ulet,

nëse sytë e tu nuk dinë të ndalen,

nëse duart e tua nuk dinë të presin.

Se njerëzillëku nuk është fjalë.

Është mënyra si e thua një fjalë.

Është si e sheh dikë

kur ai nuk ka më forcë të duket i fortë.

Është si e dëgjon

kur dikush flet ngadalë

ngaqë dhimbja,

i ka zënë vendin e frymës.

Mos më fol për dashurinë ndaj njeriut

nëse nuk di të durosh gabimin e tij.

Mos më fol për mirësi, nëse zemra jote mbyllet sapo të cenohet rehatia.

Të flasësh me njerëzillëk

do të thotë të mos e përdorësh zërin si armë,

por si strehë.

Do të thotë

të mos kërkosh të fitosh bisedën,

por të mos humbasësh njeriun përballë.

Do të thotë të thuash “gabova”

pa u rrëzuar krenaria,

të thuash “të kuptoj”

pa e kuptuar gjithçka,

të thuash “jam këtu”

edhe kur nuk ke zgjidhje.

Njerëzillëku nuk bën zhurmë.

Ai rri në gjëra të vogla: në një gotë ujë të dhënë pa u kërkuar, në një heshtje që nuk gjykon,

në një derë që nuk mbyllet me inat.

Bota është lodhur nga fjalimet për njeriun.

Ajo ka uri për një fjalë

që del nga zemra

pa kaluar nga egoja.

Prandaj

mos të flasim për njerëzillëk

si për diçka të largët,

të madhe, të paarritshme.

Le të flasim butë.

Le të flasim drejt.

Le të flasim sikur përballë nesh

është një shpirt,

që mund të thyhet nga një ton i gabuar.

Se ndonjëherë

forma më e lartë e njerëzillëkut

është thjesht

të jesh i butë

në një botë që është mësuar të jetë e ashpër.

Vetëm kështu …

Januar, 2026

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme