Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq ka kërkuar shpalljen e pafajësisë për të gjitha akuzat e ngritura kundër klientit të tij.
“Ju lutem shpallni të pafajshëm Thaçin në të gjitha akuzat”, ka deklaruar ai.
Mishetiq tha se ZPS nuk ka paraqitur prova që tregojnë kontribut të konsiderueshëm të të akuzuarve, në pretendimet e tyre për krime.
“Standardi që ka Gjykata është që duhet të ketë një kontribut të konsiderueshëm për krimet në aktakuzë. ZPS për këtë nuk ka treguar asnjë provë”, tha ai.
(10:30) Mishetiq: Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka prova kundër Thaçit
Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq deklaroi se nuk ka asnjë provë që klienti i tij ka kryer krime.
Mishetiq tha se Thaçi nuk ka dorë as në hartimin e shpërndarjen e komunikatave të UÇK-së.
“Konsensusi i provave dhe dëshmitarëve ndërkombëtarë dhe brenda UÇK-së ishte se Thaçi nuk dyshohej se ishte përfshirë në krime lufte apo në ndonjë politikë që shënjestronte kundërshtarët. ZPS nuk kishte përgjigje për të hedhur poshtë këto pretendime të hënën”, tha ai.
Mishetiq akuzoi Zyrën e Prokurorit të Specializuar se ka premtuar shumë, por që nuk ka gjetur prova për asnjë prej pretendimeve të tyre.
Ai gjithashtu akuzoi Prokurorinë për ndryshimin e provave, duke thënë se këtë e bëri “për të mbushur boshllëqet”. Mishetiq përmendi se në dosjen përfundimtare të Prokurorisë janë përmendur dy takime të Shtabit të Përgjithshëm, ku pretendohej se ishte folur për “luftën speciale” të të akuzuarve kundër bashkëpunëtorëve.
Avokati tha se ZPS pastaj e ndryshoi këtë, duke përmendur takime tjera që ishin të datave 23 korrikut, 19 nëntorit dhe 20 dhjetorit 1998, por pa qenë pjesë e dosjes përfundimtare.
Gjithashtu ai nënvizoi se ZPS kishte deklaruar se shefi i shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi kishte qenë pjesë e këtyre takimeve, teksa më herët ata kishin deklaruar se ai nuk kishte qenë pjesë e ashtu siç ZPS e quan, ‘ndërmarrjes së përbashkët kriminale’.
“ZPS nuk ka përgjigje. Dhe kjo është e pakuptimtë”, tha ai, duke shtuar se ZPS e kuptoi se e dëmtoi veten duke thënë se Zyrapi nuk ishte pjesë e NPK-së.

Laws: S’është puna jonë të vërtetojmë akuzat ndaj Selimit
Ka nisur seanca gjyqësore gjatë së cilës do të deklarohen katërshja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, dhe Rexhep Selimi.
Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws tha se nuk është në obligimin e tyre vërtetësia e akuzave ndaj të akuzuarve, duke folur për akuzat ndaj Rexhep Selimit.
“Nuk ka kusht ligjor që të vërtetojmë lidhjen mes Selimit dhe krimeve, në asnjë fazë të procesit. Ne sigurisht nuk jemi përpjekur të bëjmë lidhjen e krimeve dhe Selimit. Ne kemi paraqitur informacione dhe prova që kanë pësuar viktimat. Kjo kërkohet nga ne. Nuk është puna jonë të vërtetojmë akuzat ndaj Selimit, kjo është puna e Prokurorisë”, tha Laws.
Laws më tej shtoi se mungesa e ekzaminimeve individuale të viktimave “nuk i bën dëshmitë jo të rëndësishme”. Ai tha se qëllimi i mbrojtësit të viktimave është që të tregojë pasojat e viktimave sikurse është stresi post-traumatik dhe rrëfimet e viktimave. Sipas tij, kjo do të ndihmojë trupin gjykues të përcaktojë nëse ka pasur lidhje mes krimeve dhe të akuzuarve.
Trupi gjykues deklaroi se pas pushimit të drekës do të deklarohen të katër të akuzuarit dhe e gjithë seanca do të mbyllet gjatë kësaj pasdite.
Në gjashtë seancat paraprake fjalët përmbyllëse i kanë shpalosur prokurorët, ekipet mbrojtëse dhe mbrojtësi i viktimave. Procesi më tej kishte vijuar me pyetjet e parashtruara nga trupi gjykues, transmeton rtk.




