Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, zhvilloi këtë të martë një vizitë zyrtare në Berlin ku nënshkroi Deklaratën e Përbashkët të Qëllimit (DPQ) me Kryetaren e Bashkisë dhe Senatore për Çështjet Ekonomike, Energjinë dhe Ndërmarrjet Publike të Berlinit, Franziska Giffey.
Mësohet se deklarata vendos një kuadër të strukturuar bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit të Republikës së Shqipërisë dhe Departamentit të Senatit të Berlinit, me fokus forcimin e ekosistemeve të inovacionit dhe sipërmarrjes, mbështetjen e startup-eve dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve.
“Nënshkrimi i Deklaratës së Përbashkët të Qëllimit përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe Berlinit, si dhe në përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në hapësirën europiane të inovacionit dhe kërkimit shkencor”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj.
Sipas saj, tre jane shtyllat kryesore ku do të mbështetet bashkëpunimi:
1. Ndërtimi i kapaciteteve për inovacionin dhe sipërmarrjen.
Shkëmbim eksperiencash mbi politikat për startup-et, instrumentet financiare, krijimin e qendrave të inovacionit dhe mbështetjen e sipërmarrjes së të rinjve dhe grave.
2. Ndërlidhja e bizneseve dhe ekosistemeve.
Organizim i vizitave të strukturuara B2B dhe B2I, pjesëmarrje në panaire ndërkombëtare dhe krijim i urave të bashkëpunimit mes startup-eve shqiptare dhe ekosistemit të Berlinit.
3. Mbështetje për procesin e integrimit europian.
Zhvillim i projekteve të përbashkëta dhe aplikime për financime në programet e Bashkimit Europian, përfshirë Horizon Europe, Digital Europe Programme dhe instrumentet e European Institute of Innovation and Technology.
Sipas saj, ky bashkëpunim do të zhvillohet në kuadër të iniciativës Ecosystem Connectors Berlin- Sarajevo-Tirana dhe synon pozicionimin e Tiranës si një qendër rajonale në zhvillim për inovacionin dhe teknologjinë, transmeton rtsh.




