Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës njoftoi të hënën se qindra shtetas të Kosovës ndodhen në disa shtete të Lindjes së Mesme, por asnjëri prej tyre nuk është prekur nga luftimet e ditëve të fundit mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara kundër Iranit.
Në një postim në Facebook, Ministria tha se 21 qytetarë të Kosovës ndodhen në Izrael, 331 në Arabinë Saudite, rreth 400 qytetarë rezidentë dhe 70 turistë të lajmëruar deri tani në Emiratet e Bashkuara Arabe, 75 qytetarë në Katar, përafërsisht 60 qytetarë në Kuvajt, 4 qytetarë në Bahrejn dhe 2 qytetarë në Oman.
“Sipas informacioneve nga misionet tona diplomatike, të gjithë qytetarët tanë aktualisht janë në gjendje të mire shëndetësore”, thuhet në njoftim. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën një operacion të madh në Iran, më 28 shkurt, duke sulmuar caqet e ushtrisë dhe të regjimit klerik, transmeton euronewsal.




