Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka pritur sot në një takim Ambasadorin e Spanjës në Tiranë, Gabriel Cremades Ventura.
Takimi u zhvillua në kuadër të 40-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Spanjës, duke shënuar një moment të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.
Ministri Hoxha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Spanjës ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar atë si një partner të qëndrueshëm dhe të besueshëm në rrugëtimin evropian të vendit tonë.
Në takim u diskutua edhe për vizitën zyrtare të Ministrit Hoxha në Spanjë javën e ardhshme, e cila pritet të kontribuojë në thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe në afrimin e mëtejshëm të dy vendeve.
Sipas Ministrit, hapësirat për bashkëpunim janë të shumta dhe përfshijnë sektorë me potencial të madh si turizmi, energjia e rinovueshme, infrastruktura dhe agro-industria.
Ai përmendi shembullin e kompanisë “Meliá Hotels International”, e cila ka hapur rrugën për një prani më të madhe spanjolle në sektorin e turizmit në Shqipëri.
“Vizita ime në Spanjë do të shërbejë për të forcuar partneritetin dhe për të krijuar mundësi të reja bashkëpunimi në fusha që kanë rëndësi strategjike për zhvillimin e vendit,” u shpreh Hoxha, transmeton rtsh.




