Mesazh Urimi dhe Përmbledhje Vjetore për Bashkatdhetarët në Zvicër
Të dashur bashkatdhetarë,
Me rastin e përmbylljes së vitit 2025, kam kënaqësinë dhe nderin të ndaj me ju një përmbledhje të shkurtër të angazhimit, punës dhe arritjeve të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih gjatë këtij viti, si dhe t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta për ju dhe familjet tuaja.
Në fushën e shërbimeve konsullore, viti 2025 shënon një rritje të ndjeshme prej mbi 40% të numrit të shërbimeve konsullore, krahasuar me vitin 2023. Ky progres i rëndësishëm pasqyron jo vetëm rritjen e kërkesës nga qytetarët tanë, por edhe besimin e vazhdueshëm të mërgatës sonë në punën profesionale, korrektësinë dhe përkushtimin e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih.
Sa i përket takimeve dhe aktiviteteve të realizuara gjatë këtij viti, janë zhvilluar mbi 250 takime dhe aktivitete, brenda dhe jashtë konsullatës. Këto përfshijnë bashkëpunime të frytshme me autoritetet vendore, me korin konsullor, si dhe një sërë aktivitetesh kulturore, promovuese dhe institucionale. Të gjitha këto kanë kontribuar ndjeshëm në forcimin e lidhjeve institucionale, diplomatike dhe kulturore, si dhe në avancimin e imazhit të Republikës së Kosovës në vendin pritës.
Me këtë rast, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për mërgatën tonë në Zvicër për besimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme. Një falënderim i veçantë u shkon kolegëve diplomatë, stafit vendor, mediave, shoqatave dhe organizatave të mërgatës, si dhe autoriteteve të vendit pritës, për kontributin dhe partneritetin e tyre të çmuar gjatë gjithë vitit.
Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih do të vazhdojë edhe në vitet në vijim të ushtrojë mandatin e saj me përgjegjësi të plotë, transparencë dhe profesionalizëm, gjithmonë në shërbim të qytetarëve tanë dhe në mbrojtje të interesit të Republikës së Kosovës, transmeton helveticALforum.ch
Me respekt dhe urime më të mira,
Vigan Berisha
Shef i Misionit Konsullor
Republika e Kosovës – Cyrih




