Shoqata Humanitare “Lugina e Preshevës” në Zvicër u uron rrugë të mbarë dhe pushime të këndshme në atdhe të gjithë bashkatdhetarëve tanë që janë nisur ose do të nisen drejt vendlindjes për festat e fundvitit, duke ju dëshiruar momente të mbushura me ngrohtësi familjare, shëndet dhe gëzim.

Njëkohësisht, shoqata shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë anëtarët e saj besnikë për kontributin dhe përkushtimin e treguar gjatë këtij viti. Falënderimi ynë vjen nga zemra, në emër të Kryesisë së Shoqatës, por edhe në emër të të gjithë atyre që kanë përfituar ndihma nga bamirësia dhe solidariteti juaj.
Çdo ndihmë e dhënë ka qenë shpresë dhe mbështetje për ata që kanë pasur më së shumti nevojë.

Viti që po lëmë pas ka qenë i ngarkuar me sfida, por pavarësisht vështirësive, kemi arritur të përmbushim të gjitha obligimet tona. Shoqata jonë ka dëshmuar edhe një herë se është e bashkuar, unike dhe e fjalës së dhënë, duke vepruar me përgjegjësi dhe seriozitet në çdo projekt dhe angazhim.
Me këtë rast, i urojmë shërim të shpejtë ish-komandantit Shefket Hasani, i cili ditët e fundit ka pasur disa probleme shëndetësore. Besojmë fuqishëm se ai do t’i kthehet së shpejti familjes dhe miqve të tij, kudo që ndodhen.
Të nderuar anëtarë dhe bashkatdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare, ju kujtojmë edhe një herë se kushdo që ka dëshirë të kontribuojë, mund ta bëjë këtë me bindjen e plotë se çdo frangë e dhuruar shkon në vendin e duhur dhe menaxhohet me kujdes të veçantë dhe transparencë të plotë. Kemi pasur edhe disa projekte të tjera në atdhe që nuk u realizuan ashtu siç ishte planifikuar, por mbetemi të vendosur që t’i çojmë përpara në të ardhmen.
Shoqata Humanitare “Lugina e Preshevës” e ka kalanë e saj të ndërtuar mbi vepra konkrete, veprimtari të dëshmuara dhe punë të sinqertë, pa krekosje e pa reklama, por me shpirt e zemër. Prandaj, në emër të atyre që kanë nevojë, ju lutemi të vazhdoni të ndihmoni dhe të qëndroni pranë nesh.
Anëtarësia për vitin e ri po afrohet; pagesat mund të bëhen edhe më herët, por edhe gjatë muajit janar. Projektet tona janë të njohura dhe ju jeni të informuar vazhdimisht – falë angazhimit tuaj, ne vazhdojmë të veprojmë dhe të realizojmë misionin tonë humanitar.
Falënderojmë sinqerisht edhe HelveticALforum, Bota Sot, si dhe mediat lokale në Luginën e Preshevës për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme. Çdo fjalë dhe çdo sekondë e dhënë ka qenë me sinqeritet dhe përkushtim të plotë.
Shoqata jonë ka realizuar projekte të shumta me karakter kombëtar, ka botuar monografinë e saj dhe tashmë po i afrohet 20-vjetorit të themelimit. “Lugina e Preshevës” ka dhe do të mbajë gjithmonë një zë të fuqishëm, zë të besës dhe të qëndrueshmërisë, larg spektakleve të momentit, por afër punës së ndershme dhe përkushtimit afatgjatë.

Fjalë pak, vepra shumë – të betuar në Zot dhe Flamur.
Gëzuar Vitin e Ri, me shëndet, paqe dhe të gjitha të mirat për ju dhe familjet tuaja. Urojmë që anëtarët e rinj që na janë bashkuar këtë vit të mbeten pjesë e jona edhe në vitet që vijnë. Zoti ju bekoftë e ju dhashtë gjitha të mirat!
Me respekt të veçantë,
Kryesia e Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës” në Zvicër
Ph.D. Dashnim Hebibi, kryetar




