
Nga Dashnim HEBIBI, Zürich
MERGATA – AMBASADORI MË I MADH I KOMBIT QË PO HARROHET
Një kafe 5 franga zvicerane.
Një bukë 5.85 franga.
Këto nuk janë shifra propagande, por realiteti i përditshëm i mërgimtarit shqiptar në Zvicër dhe në Perëndim. Jeta është bërë e shtrenjtë kudo, edhe për ata që dikur konsideroheshin “të fortë ekonomikisht”. Por mërgimtari shqiptar ka mësuar të sakrifikojë – në heshtje, pa u ankuar.
Edhe sot, pas 18 vjetësh pavarësi të Kosovës, mërgata shqiptare mendon dhe vepron për të mirën e atdheut, të familjeve të tyre, të miqve e shokëve. Kontributi i saj nuk ka pushuar kurrë. Përkundrazi, sot kemi brezin e katërt të mërgatës, që ende mban gjallë lidhjen me vendin e të parëve.
E megjithatë, zërat që po dëgjohen së fundmi nga disa individë që përpiqen të bëjnë zhurmë kundër mërgatës janë të dhimbshëm dhe, pa asnjë dyshim, të pahijshëm. Është padrejtësi të sulmohet mërgata, ndërkohë që buxhetet e shteteve shqiptare dihet mirë se sa mbushen nga remitencat e saj. E sa ndihma të tjera shkojnë, por nuk shihen dhe nuk transparohen kurrë.
Kur shtetit i duhet mërgata, fjalët janë të mira, mirënjohja është e madhe – sidomos në kohë fushatash zgjedhore. Por kur mërgata kthehet në atdhe, sidomos gjatë festave, përballet me pritje 9-orëshe me veturë, deri në 30 orë udhëtim me autobus, ose me bileta aeroplani me çmime stratosferike. Pastaj, për një shkelje të vogël trafiku, reagimet janë të menjëhershme, ndërkohë që nuk krijohen kushtet minimale për të përballuar fluksin e madh të qytetarëve.
Prej vitesh janë kërkuar projekte konkrete për mërgatën – përmes shkrimeve, por edhe drejtpërdrejt nga institucionet. Fatkeqësisht, këto kërkesa kanë mbetur në vesh të shurdhër. Asnjë strategji serioze, asnjë vizion afatgjatë, sidomos për brezin e ri të mërgatës, i cili nuk ka të njëjtat ndjenja dhe përjetime si brezi i parë, i dytë apo i tretë. Atij brezi duhet t’i ofrohet më shumë lidhje reale me vendin e origjinës.
Sot jeta në Perëndim është e vështirë edhe për mërgimtarin, por ai vazhdon të japë. Vazhdon të dërgojë para, të ndërtojë shtëpi, të ndihmojë familje, të mbajë gjallë ekonominë dhe imazhin e kombit. Ai është pasuria jonë kombëtare, ambasadori më i mirë që kemi në botë. Jemi vonë, por ende jo tepër vonë. Nëse nuk e ruajmë dhe nuk e respektojmë mërgatën sot, nesër do të na mbetet vetëm dhimbja dhe pendesa. Dhe atëherë do të jetë shumë vonë. /helveticALforum.ch




