
Nga Prof.dr. Mehmet Elezi, publicist, shkrimtar, gjuhëtar, diplomat
Media njofton se në prag të festave të fundvitit plasën dekorimet. U dekoruan qytetet. I pari, kryeqyteti. Nga kryetari i shtetit? Jo, nga “dritat dekoruese”.
Një gazetë shkroi se u dekorua edhe një burg. Nga shoqatat për të drejtat e njeriut? Jo, nga babadimri.
Risi e veçantë: dekorimi i kafshëve. Ndodh për herë të parë në Shqipëri. Ja një njoftim në media: “edhe kafshët shtëpiake u kënaqën nga dekorimet e Krishtlindjeve. Dritat dhe dekorimet janë një kënaqësi e parezistueshme për qentë e macet”.
Lexuesi u drejtohet fjalorëve të gjuhës shqipe. FSHS (Fjalor i Shqipes së Sotme, 2002, vepër e Akademisë së Shkencave) shkruan:
DEKOROJ: i jap dikujt një dekoratë. E dekoruan me Urdhrin e Flamurit.
Edhe dekorim, dekoratë, dekorohem, i dekoruar, lidhen me foljen me dekorue, me dhënien e marrjen e një medaljeje a urdhri. Asnjë kuptim tjetër aty.
Nisur nga fjalorët normativë të gjuhës shqipe, del se dekorimet, për të cilat flet media, nuk janë të njëmendta. Zbukurimi i qyteteve, i mjediseve e i bredhave për disa portale, gazeta e ekrane nuk qenka zbukurim, por qenka dekorim. Dritat zbukurese qenkan drita “dekoruese”, punëtorët nuk i zbukurojnë rrugët, por i dekorojnë. Gjindja këqyrnin shoqi-shoqin: ç’është ky gazetar që flet kështu, mos është Koçi i komedisë “Zonja nga qyteti”, që kuvendon me “teta Olgën”?
Gjuha shqipe ndihet në rolin e një zonje të hijshme, që e detyrojnë “me u dekorue” me varëse llamarine, prej atyre që mashtruesit mundohen me i shitë si flori nëpër qoshet e rrugëve.
Media dhe ligjërime të tjera publike u zënë pritë fjalëve të bukura të shqipes, i vrasin përditë, pa mëshirë. Mendojnë se duke i zëvendësuar me fjalë tallava, duken “modernë”?
(Nga libri “Gjuha e medias dhe ’lemëza’”) / HelveticALforum.ch




