Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë nisur një bashkëpunim të ngushtë në fushën e teknologjisë me trupat elitë amerikane. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë njoftoi se marinsat nga “Marine Rotational Force–Europe” kanë mbërritur në kryeqytet për të punuar së bashku me specialistët shqiptarë të sigurisë kibernetike.
Bëhet fjalë për një trajnim të specializuar dyjavor, i fokusuar tërësisht te Operacionet Mbrojtëse Kibernetike, një sektor prioritar për sigurinë kombëtare dhe atë të aleancës.
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, selia diplomatike amerikane theksoi se ky aktivitet nuk është sporadik, por një vazhdimësi e mbështetjes afatgjatë që SHBA i ka dhënë Shqipërisë për sigurinë e rrjeteve.
“Duke ndarë ekspertizën dhe duke ndërtuar aftësi të reja, ne po ndihmojmë në forcimin e mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë dhe në mbështetjen e Aleancës sonë të NATO-s,” thuhet në njoftimin e ambasadës.
Më tej, nënvizohet se qëllimi final është mbajtja e rrjeteve kritike të Shqipërisë të sigurta dhe të gatshme për sfidat e së ardhmes.
Njoftimi u shoqërua me foto nga ambientet ku po zhvillohet trajnimi, duke dëshmuar bashkëpunimin në terren mes ushtarakëve të dy vendeve, transmeton rtsh.




