Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka përfunduar fjala përmbyllëse e mbrojtjes së Rexhep Selimi, ku ekipi i tij ligjor kërkoi që ai të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).
Avokati Geoffrey Roberts deklaroi para trupit gjykues se mbrojtja nuk i është shmangur trajtimit të pretendimeve të prokurorisë, por theksoi se referimi ndaj akuzave nuk u jep atyre peshë automatike. Sipas tij, provat e paraqitura nga ZPS janë kontradiktore, të pabazuara dhe pa besueshmëri, veçanërisht sa i përket pretendimeve për përfshirje personale të Selimit në krime të pretenduara.
“Një analizë e kujdesshme e provave tregon se Selimi është tërësisht i pafajshëm për të gjitha akuzat”, tha Roberts, duke kërkuar që ai të lirohet dhe të kthehet pranë familjes së tij në Kosovë.
Mbrojtja kundërshton pretendimet për krime kundër njerëzimit
Në vijim të seancës, Chad Mair nga ekipi mbrojtës tha se prokuroria ka dështuar të vërtetojë akuzat për krime kundër njerëzimit. Ai kërkoi një shqyrtim të hollësishëm të dosjes së ZPS-së, duke e cilësuar atë si të mbushur me referenca të ngatërruara dhe të paqarta.
Sipas Mair, në fazat e para të vitit 1998, struktura e Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk kishte një zinxhir të mirëfilltë komandues. Ai tha se shumë ushtarë dhe madje komandantë nuk kishin dijeni për ekzistencën apo funksionimin e Shtabit të Përgjithshëm, duke e përshkruar organizimin si një grumbull njësish lokale që vepronin në mënyrë të pavarur.
Ai theksoi gjithashtu mungesën e armëve dhe mjeteve të komunikimit, duke argumentuar se këto kufizime e bënin të vështirë koordinimin e operacioneve.
“Policia ushtarake nuk ishte nën përgjegjësinë e Selimit”
Avokati Eric Tully kundërshtoi pretendimet e ZPS-së se Selimi, në cilësinë e ministrit të Rendit Publik, kishte kontroll mbi policinë ushtarake të UÇK-së. Sipas tij, kjo polici ka qenë nën përgjegjësinë e komandantëve të zonave dhe jo nën autoritetin e Selimit.
Tully tha se mungojnë dokumente operative që do të dëshmonin kontroll apo autoritet funksional të Selimit mbi ndonjë strukturë policore. Ai vuri në dukje se i vetmi dokument që prokuroria e konsideron si “urdhër” është një komunikatë e qershorit 1999, e cila sipas tij nuk përmban elemente që dëshmojnë transferim të autoritetit operacional.
Po ashtu, ai kritikoi dëshminë e një dëshmitari të thirrur nga ZPS, duke thënë se ai nuk kishte njohuri personale për urdhra të lëshuara nga Selimi dhe nuk kishte qenë pjesë e UÇK-së në kohën përkatëse.
Mbrojtja përfundoi duke theksuar se prokuroria nuk ka arritur të provojë as veprime, as mosveprime nga ana e Selimit që do ta lidhin atë me krimet e përfshira në aktakuzë. Vendimi i trupit gjykues pritet të përcaktojë epilogun e këtij procesi të ndjekur me vëmendje të lartë në Kosovë, transmeton rtk.




