POSTIMET E FUNDIT

Mbrëmje historike në Vjenë: Jaho dhe Pirgu shkëlqejnë në ‘Madama Butterfly’”

Ermonela Jaho dhe Saimir Pirgu ndezin skenën me “Madama Butterfly”

Nata e 14 marsit 2026 do të mbetet gjatë në memorien e adhuruesve të operës në Vjenë. Nën dritat e një prej teatrove më prestigjiozë në botë, “Wiener Staatsoper” (Opera Shtetërore e Vjenës), dy emrat më të mëdhenj të lirikës botërore, prestigjiozët shqiptarë Saimir Pirgu dhe Ermonela Jaho, u bashkuan për të sjellë një interpretim magjik të kryeveprës së Puccinit, “Madama Butterfly”.

Sopranoja jonë e jashtëzakonshme, Ermonela Jaho, u ngjit në skenë në rolin e Cio-Cio-San. E vlerësuar së fundmi me çmime prestigjioze si “Këngëtarja e Vitit” në Gjermani dhe Spanjë, Jaho konfirmoi edhe një herë pse është mbretëresha e padiskutueshme e këtij roli. Me një vokal që drithëron dhe një interpretim dramatik që të thyen zemrën, ajo u prit me ovacione nga publiku vjenez, i cili e konsideron atë tashmë një idhull të skenës së tyre.

Përkrah saj, në rolin e Pinkertonit, shkëlqeu tenori Saimir Pirgu. I njohur si një nga interpretuesit më të rëndësishëm të brezit të tij në skenat më të mëdha, nga “La Scala” deri në “Covent Garden”, Pirgu solli në Vjenë një forcë vokale dhe një elegancë që i dha shkëlqim produksionit të regjisorit të ndjerë Anthony Minghella.

Nën drejtimin e maestros së njohur Marco Armiliato, ky produksion shënoi shfaqjen e 21-të të këtij interpretimi, por pesha e dy solistëve shqiptarë e bëri këtë mbrëmje unike.

Mes duartrokitjeve të gjata dhe emocioneve të forta, Vjena u përkul mbrëmjen e së shtunës para dyshes Jaho-Pirgu, duke na bërë të gjithëve krenarë për këta ambasadorë të jashtëzakonshëm të kulturës sonë.

Shfaqja e operas “Madama Butterfly” me interpretimin në rolet kryesore të dy solistëve tanë nisi më 7 mars në Operan Shtetërore të Vjenës dhe do të zgjasë deri më 17 mars, transmeton tvklan.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB