POSTIMET E FUNDIT

Mbi 2600 shtetas zviceranë ende të bllokuar në rajonin e krizës në Lindjen e Mesme

Lufta në Lindjen e Mesme dhe tensionet e fundit që lidhen me konfliktin me Iranin kanë shkaktuar kaos të madh në trafikun ajror ndërkombëtar. Si pasojë, mijëra udhëtarë kanë mbetur të bllokuar në rajon. Të hënën pasdite, Departamenti Federal për Punë të Jashtme i Zvicrës publikoi të dhëna të përditësuara për numrin e shtetasve zviceranë që ende ndodhen në vendet e prekura nga kriza. Sipas të dhënave të regjistruara në aplikacionin Travel Admin, aktualisht rreth 2600 shtetas zviceranë rezultojnë ende në rajon.

Në një moment, numri i tyre kishte arritur deri në rreth 5000 persona, por shumë prej tyre janë larguar gradualisht gjatë ditëve të fundit. Numri më i madh i udhëtarëve të regjistruar ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku aktualisht janë të regjistruar rreth 1600 persona, një rënie e konsiderueshme prej 1600 personash krahasuar me 2 marsin 2026.

Në Oman janë regjistruar 320 persona, ndërsa në Katar rreth 300 persona, që gjithashtu paraqet ulje prej 110 personash krahasuar me fillimin e muajit, transmeton 20min.ch. Në Arabinë Saudite ndodhen rreth 90 shtetas zviceranë, një rritje prej 60 personash krahasuar me 2 marsin. Ndërkohë, në Izrael janë regjistruar 160 persona, në Liban rreth 70 persona, ndërsa në Zvicër përmes Qipros janë regjistruar 70 persona, një rritje prej 40 personash.

Numra më të vegjël raportohen në vendet e tjera të rajonit: në Jordani ndodhen rreth 40 persona, në Kuvajt vetëm 10 persona, ndërsa në Bahrein, Iran dhe Jemen rezulton një numër shumë i vogël, më pak se pesë persona të regjistruar. Autoritetet zvicerane janë duke monitoruar nga afër situatën dhe janë në kontakt me qytetarët e tyre përmes aplikacionit Travel Admin, i cili përdoret për të regjistruar udhëtimet dhe për të koordinuar ndihmën në raste emergjente.

 Të enjten e kaluar, kompania ajrore zvicerane Swiss realizoi një fluturim special, me të cilin 211 shtetas zviceranë u kthyen nga rajoni drejt aeroportit të Cyrihut. Autoritetet zvicerane vazhdojnë të punojnë për të siguruar kthimin e sigurt të qytetarëve të tjerë që ende ndodhen në zonat e prekura nga kriza, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch

Foto ilustrim

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB