Bernë, 24 janar 2026 – Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Konfederatën Helvetike, z. Rexhep Demiri, pas përfundimit të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ka njoftuar përmes rrjeteve sociale të gjithë shtetasit e RMV-së që jetojnë në Zvicër lidhur me ecurinë dhe zhvillimet e këtij forumi botëror.

Të nderuar bashkatdhetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut që jetoni në Zvicër,
Me nder dhe përgjegjësi të thellë, dëshiroj t’ju informoj për zhvillimet gjatë pjesëmarrjes sime në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, i cili u zhvillua nga 19 deri më 23 janar. Në cilësinë time si Ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bernë, pata nderin të përfaqësoj vendin tonë në këtë forum të njohur ndërkombëtarisht, si pjesë e delegacionit qeveritar të udhëhequr nga Kryeministri z. Hristijan Mickoski dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, z. Timčo Mucunski.

Delegacioni ynë përfshinte gjithashtu figura të shquara të qeverisë dhe ekspertë të lartë: z. Vladimir Peshevski, këshilltar për ekonomi dhe politika zhvillimore dhe ish-zëvendëskryeministër për ekonomi, si dhe Ambasadorin z. Sasho Markovski, këshilltar për politikë të jashtme dhe marrëdhënie ndërkombëtare, së bashku me anëtarë të tjerë të kabinetit të Kryeministrit. Ky përbërje e kompletuar e delegacionit thekson seriozitetin dhe angazhimin e vendit tonë për përfaqësim të fuqishëm dhe të efektshëm në arenën ndërkombëtare.

Gjatë kësaj jave intensive, por jashtëzakonisht të vlefshme, patëm mundësinë të zhvillojmë diskutime të drejtpërdrejta dhe konstruktive mbi sfidat dhe mundësitë konkrete që Republika e Maqedonisë së Veriut ofron për investitorët ndërkombëtarë. Fokus i veçantë u vendos mbi zhvillimin ekonomik, energjetikën, inovacionin dhe inteligjencën artificiale, si edhe mbi krijimin e një ambienti të qëndrueshëm për investime dhe partneritete strategjike.

Takimet tona përfshinë personalitete dhe liderë ndërkombëtarë, duke theksuar rëndësinë e dialogut të hapur dhe të sinqertë për avancimin e interesave të vendit tonë.

Midis tyre, patëm nderin të takohemi me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Sekretarin Amerikan për Energjetikë, si dhe të merrnim pjesë në panele ndërkombëtare së bashku me Kryeministrin z. Hristijan Mickoski.

Një ndalesë e veçantë ishte vizita në Shtëpinë e Kosovës, ku u takuam me Kryeministrin z. Albin Kurti, Ambasadorin z. Mentor Latifi, afaristin e njohur z. Esat Lika dhe personalitete të tjera të jetës institucionale dhe ekonomike.
Këto përvoja forcojnë bindjen time se rruga e dialogut të hapur, bashkëpunimit të sinqertë dhe përfaqësimit dinjitoz është rruga më e drejtë për promovimin e interesave shtetërore dhe avancimin e vendit tonë në komunitetin ndërkombëtar. Kur angazhimi ndërtohet mbi vlera të qarta, vizion strategjik dhe qëllime të sinqerta, krijohen mundësi të reja dhe të qëndrueshme për vendin dhe qytetarët tanë.

Në përmbyllje, dëshiroj të shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin tim të sinqertë për bashkëpunëtorët e mi për mbështetjen e tyre të vazhdueshme gjatë këtij angazhimi intensiv, si dhe për miqtë që më qëndruan pranë gjatë kësaj jave të ngarkuar dhe frytdhënëse.

Një falënderim i veçantë shkon për:
• z. Mehmed Selimi, Menaxher i Teknikës
(Beko, Bauknecht etj.) për Zvicrën;
• z. Florim Useini, afarist dhe Kryetar Nderi i
Rrjetit të Bizneseve të Zvicrës Qendrore;
• z. Afrim Mehmeti, afarist.

Mbështetja dhe bashkëpunimi juaj janë jashtëzakonisht të çmuara, dhe një kontribut i madh për përfaqësimin dinjitoz të Republikës së Maqedonisë së Veriut në nivel ndërkombëtar.
Me respekt dhe konsideratë të thellë,
Rexhep Demiri
Ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bernë
helveticALforum.ch




