Qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Sllovakisë qëndrojnë fuqishëm pas bashkëpunimit të kompanive, shqyrtojnë mundësitë për intensifikimin e partneriteteve tregtare dhe për shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizave, ndërsa sot, në kuadër të Biznes Forumit në Shkup, nënshkruan edhe një Memorandum mirëkuptimi. Siç u tha në Forum, ekziston një potencial i madh që duhet shfrytëzuar, ndërsa energjetika, TIK, industria e automjeteve, shëndetësia dhe turizmi janë vetëm disa nga sektorët ku mund të intensifikohet bashkëpunim.
“Tashmë kemi një shkëmbim të caktuar tregtar në industrinë e automjeteve dhe tek disa produkte kimike, por mendojmë se në energjetikë, TIK dhe në industrinë e automjeteve ka potenciale të reja.
Dëshirojmë të shohim gjithashtu se cilat janë kapacitetet eksportuese nga të dyja palët, sepse ne nuk jemi të fokusuar vetëm në tërheqjen e investimeve, por edhe në rritjen e potencialeve eksportuese, veçanërisht në industri me vlerë të shtuar të lartë, siç është vera e Maqedonisë, të cilën e promovojmë fuqishëm”, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, para fillimit të Forumit.
Ai informoi se shteti ka punuar për një periudhë të gjatë për të arritur marrëveshje që një delegacion nga Sllovakia të vijë në vendin tonë, së bashku me përfaqësues nga komuniteti biznesor, të cilët do të kenë mundësinë të krijojnë kontakt të drejtpërdrejtë me kompanitë e Maqedonisë së Veriut dhe odat ekonomike./BS




