Presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolás Maduro, u paraqit para gjykatës në Nju Jork, ku u përball me akuza për trafik ndërkombëtar droge. Maduro hyri në gjykatën e Distriktit Jugor të Nju Jorkut i veshur me uniformë burgu dhe me këmbët e prangosura, sëbashku me bashkëshorten e tij, Cilia Flores, ndërsa e gjithë seanca zgjati 30 minuta.
Ai hodhi poshtë të gjitha akuzat, që përfshijnë narko-terrorizëm, komplot për importin e kokainës dhe posedimin e mitralozëve dhe pajisjeve shkatërruese, duke u deklaruar i pafajshëm. Maduro i tha gjykatës se ai është presidenti i Venezuelës dhe se u arrestua nga shtëpia e tij në Karakas.
“Unë nuk jam fajtor, jam një person i ndershëm, jam ende presidenti i vendit tim,” tha ai, përpara se të ulej përsëri në vendin e tij.
Po ashtu, edhe bashkëshotja e tij u deklarua e pafajshme. “Po, unë jam Celia Flores Maduro, zonja e parë e Venezuelës,” i tha ajo gjykatës.
Avokati i Maduros tha se klienti i tij nuk po kërkon të lirohet me kusht, ndërsa arrestimin e tij e konisderoi si “rrëmbim ushtarak”. Seanca e radhës u planifikua për me 17 mars.
Ndërsa Maduro po deklarohej i pafajshëm brenda gjykatës, një grup protestuesish, pro dhe kundër tij, u mblodhën jashtë duke brohoritur. Dy grupe me qëndrime të kundërta protestuan paralelisht: njëra palë brohoriti kapjen e Maduro-s, ndërsa pala tjetër protestoi kundër ndalimit të tij dhe kërkoi lirimin.
Ky proces gjyqësor ka tërhequr vëmendjen e gjerë ndërkombëtare, duke u konsideruar si një nga çështjet më të ndjeshme që lidhen me marrëdhëniet mes Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara.
Çifti u kap në kompleksin e tyre në Karakas të shtunën dhe u dërgua me aeroplan në SHBA si pjesë e një operacioni të forcave speciale.
Akuzat për trafik kokaine
Maduro akuzohet për mbikëqyrjen e një rrjeti të trafikut të kokainës që bashkëpunonte me grupe të dhunshme duke përfshirë kartelet Sinaloa dhe Zetas të Meksikës, rebelët kolumbianë FARC dhe bandën Tren de Aragua të Venezuelës.
Maduro i ka mohuar prej kohësh akuzat, duke thënë se ato ishin “një maskë” për planet imperialiste mbi rezervat e pasura të naftës së Venezuelës, transmeton rtsh.




