0.2 C
Zurich
Sunday, December 28, 2025
spot_img
spot_img

Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë

Duhet ti lexosh

Nga Ph.D. Dashnim HEBIBI

Zürich, 28 dhjetor 2025 – Sa herë që në Kosovë zhvillohen zgjedhje, një pyetje e dhimbshme rikthehet në mendjen e shumë bashkëkombësve tanë nga Lugina e Preshevës: pse ne ende nuk jemi pjesë e këtij procesi demokratik? Pse shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të cilët historikisht, shpirtërisht dhe kombëtarisht i përkasin të njëjtit trung, mbeten jashtë të drejtës së votës dhe shtetësisë së Kosovës?

Në Kosovë sot jeton një numër shumë i madh qytetarësh nga Lugina e Preshevës. Vetëm nga Medvegja, thuajse mbi 80 për qind e popullsisë shqiptare është shpërngulur dhe jeton në Kosovë. Nga Bujanoci e Presheva, shumë e shumë prej tyre jetojnë në Kosovë. Shumë prej tyre kanë prona, shtëpi, familje dhe jetë të ndërtuar në Kosovë, por megjithatë nuk kanë shtetësi kosovare. Kjo i përjashton automatikisht nga e drejta e votës, nga përfaqësimi politik dhe nga shumë të drejta elementare qytetare.

Kudo përmendet Kosova Lindore dhe realisht ashtu është, por banorët shqiptarë të asaj treve vazhdojnë të mbeten pa dokumente dhe pa njohje juridike nga shteti që ata e ndjejnë si të tyrin. Ky është një paradoks politik dhe moral që nuk mund të zgjasë pafundësisht. Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kërkojnë privilegje, por barazi dhe dinjitet.

Shumë bashkëkombës, qoftë ata që jetojnë ende në Luginë, ata që jetojnë në Kosovë, apo në mërgatë, presin me shpresë ditën kur do të kenë të drejtën e shtetësisë së Kosovës. Kjo nuk do të ishte vetëm një akt administrativ, por një konfirmim i fuqishëm politik dhe kombëtar, se shqiptarët e Luginës janë pjesë e pandashme e Kosovës – jo vetëm në zemër, por edhe në dokumente.

Këto zgjedhje, ashtu si shumë të mëparshmet, po kalojnë sërish pa të drejtë vote për mijëra qytetarë të kësaj etnie. Kjo vlen edhe për mua personalisht, si qytetar i kësaj treve. E njëjta padrejtësi vlen edhe në raport me Shqipërinë, e cila gjithashtu do të duhej të krijonte mekanizma lehtësues për dhënien e shtetësisë për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Një hap i tillë do të ishte në përputhje me parimet kombëtare dhe me praktikat që shtetet amë zbatojnë ndaj bashkëkombësve të tyre.

Pyetja kryesore mbetet: kur do të vijë ajo ditë dhe kush do të angazhohet seriozisht për ta bërë realitet këtë të drejtë? A do të mbetet kjo çështje vetëm pjesë e fjalimeve politike, apo do të shndërrohet më në fund në politikë konkrete shtetërore?

Banorët e Luginës së Preshevës nuk janë fajtorë për gjendjen e tyre politike dhe juridike. Ata janë viktimë e rrethanave historike dhe e mungesës së vullnetit institucional. Por një gjë është e sigurt: shpirti i tyre dihet se për ku rreh. Ai rreh për Kosovën, për kombin dhe për të ardhmen e përbashkët shqiptare. Numri i atyre bashkëkombasëve nga Lugina e Preshevës që e kanë shtetësinë e Kosovës apo të Shqipërisë është i vogël.

Mohimi i shtetësisë dhe i së drejtës së votës nuk mund të jetë i përhershëm. Demokracia nuk mund të jetë e plotë pa përfshirje, dhe shteti nuk mund të jetë i drejtë pa barazi. Është koha që kjo padrejtësi historike të trajtohet me seriozitetin që meriton.

(Autori është President i Institutit Shkencor Helvetik për Evropën Juglindore, me seli në Cyrih)

Enkas për helveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme