POSTIMET E FUNDIT

Luftimet në Lindjen e Mesme rrezikojnë furnizimin global me barna jetike

Luftimet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme po krijojnë shqetësime serioze për industrinë farmaceutike globale, pasi ndërprerjet në linjat kryesore ajrore po rrezikojnë furnizimin me barna jetike, përfshirë medikamentet për trajtimin e kancerit.

Sipas raportimeve të Reuters, zyrtarë të industrisë dhe ekspertë të logjistikës paralajmërojnë se shumë prej barnave të prodhuara jashtë rajonit transportohen me avion drejt qendrave farmaceutike dhe pikave të shpërndarjes në mbarë botën. Mbyllja e hapësirave ajrore në zona të gjera për shkak të konfliktit ka detyruar kompanitë e transportit ajror të devijojnë rrugët e tyre, duke rritur ndjeshëm kostot dhe duke shkaktuar vonesa në dërgesa.

Situata është veçanërisht shqetësuese për barnat që kërkojnë transport të shpejtë dhe kushte të kontrolluara gjatë rrugës, si medikamentet kundër kancerit. Ekspertët theksojnë se çdo vonesë në furnizim mund të ketë pasoja serioze për pacientët që varen nga trajtimet e rregullta dhe në kohë.

Disa prodhues farmaceutikë kanë bërë të ditur se rezervat e tyre po zvogëlohen dhe paralajmërojnë se, nëse situata nuk përmirësohet shpejt, vonesat në furnizim mund të ndihen në javët e ardhshme në shumë vende të botës.

Përballë kësaj situate, kompanitë e industrisë po kërkojnë rrugë alternative transporti dhe bashkëpunim më të madh me autoritetet ndërkombëtare për të siguruar që barnat kritike të arrijnë në destinacion pa ndërprerje. Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se stabiliteti i zinxhirit global të furnizimit me barna mbetet i ndjeshëm ndaj zhvillimeve gjeopolitike në rajon, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB