Nga Rafaela Prifti
Në një botë ku puthja është e ndaluar me ligj madje me vdekje, dhe “monedha” e transaksioneve janë shuplakat, filmi i shkurtër francez “Deux personnes échangeant de la salive” (Dy vetë që shkëmbejnë pështymë) ndërtohet mbi një premisë absurde pikërisht për të hedhur dritë tek tragjikomedia e diktatit mbi shoqërinë.
Filmi është produksion francez, me bashkë-skenaristë dhe bashkë-regjisorë Natalie Musteata, historiane arti dhe, Alexandre Singh, artist vizual, të cilët janë edhe partnerë në jetë.
Në komentet e tyre për skenarin, ata u ndalën tek ideja për subjektin e filmit të cilin e shkruajtën në 2023 “si reagim ndaj ngjarjeve alarmuese të asaj kohe. Në Shtetet e Bashkuara, intensifikimi i lëvizjeve ekstremiste dhe polarizimi i theksuar vunë në pah brishtësinë e normave demokratike. Në Iran gjetëm frymëzim tek lëvizja Femra, Jeta, Liria, ndërsa shokoheshim nga lajmet e dënimeve, rrëmbimeve dhe vrasjeve të grave që refuzonin të mbanin shaminë tradicionale (hijab). Kaq ekstreme dhe absurde ishin ngjarjet e llojit sureal, sa na dukej sikur ato ishin ndodhi në një botë filmi dhe jo në realitet. Qysh atëherë, absurditeti në jetën reale është bërë edhe më i egër,…të gjitha këto të japin një ndjenjë se bota po kthehet mbrapa në vend që të ecë përpara.”
Filmi 36 minutash dallohet për ngarkesën e gjuhës aluduese në temat e intimitetit dhe survejimit, konformizmit të shoqërisë ndaj kontrollit dhe dhunës. Qysh nga premiera e tij në Telluride Film Festival, në Colorado, filmi bardhezi ka fituar disa çmime.
Mbrëmë në edicionin 98 të Çmimeve të Akademisë në Hollywood, filmi “Dy vetë që shkëmbejnë pështymë” ishte fitues në kategorinë e Live Action të filmit të shkurtër. Ky ishte ndër rastet e rralla kur çmimi jepej edhe për një produksion tjetër, po ashtu fitues si komedi muzikore “The Singers” (Këngëtarët). Aktoret kryesore janë Zar Amir Ebrahimi, franko-iraniane (në rolin e gruas së dëshpëruar, Angine) Luana Bajrami nga Kosova (në rolin e vajzës shitëse 25 vjeçare, naive dhe syshkëndijë, Malaise). Në përshëndetjen e tij të pranimit të çmimit Oscar Alexandre Singh i falënderoi aktoret duke përmendur me krenari edhe vendet nga vijnë.
Për ne, momenti i ceremonisë që përcolli më shumë emocione ishte kur në sallë u tha: Luana Bajrami nga Kosova! Luana është e njohur për rolet në filmat Portrait of a Lady on Fire (Portreti i një Gruaje në Flakë) dhe School’s Out (Shkolla Mbaroi). Ajo ka pasur debutimin si regjisore në filmin The Hill Where Lionesses Roar (Luaneshat e Kodrës).
Bashkë me festimin e 25 vjetorit erdhi edhe suksesi madhor në karrierën e saj!/GD




