Gary Lineker beson se Gabriel Magalhães është mbrojtësi më i mirë qendror në futbollin botëror pas rikthimit të tij me gol te skuadra e Arsenalit.
Gabriel ka qenë një lojtar kyç te ekipi i Mikel Artetas që nga ardhja nga Lyon për 27 milionë paund në vitin 2020, duke formuar një partneritet të fortë me William Saliba që e ka bërë Arsenalin mbrojtjen më të mirë në Premierligë gjatë tre sezoneve të fundit.
Një dëmtim në kofshë i marrë gjatë detyrës ndërkombëtare me Brazilin në nëntor e detyroi 28-vjeçarin të humbasë nëntë ndeshje në të gjitha kompeticionet për Arsenalin.
Por pas një paraqitjeje të shkurtër kundër Brighton, Gabriel u rikthye në formacionin titullar për përballjen e kryesit me Aston Villan, duke shënuar një gol te fitorja e thellë 4-1 kundër rivalëve për titull. Lineker beson se cilësitë e Gabrielit në të dyja zonat e bëjnë atë mbrojtësin qendror më të spikatur në futbollin botëror aktual.
“Gabriel, në veçanti, është një forcë, apo jo?”, tha ish-lojtari i Anglisë për programin “The Rest Is Football”.
“Po flisja me Harryn (djalin e Lineker) mbrëmë kur po shikonim ndeshjen (kundër Villas) – nëse do të duhej të zgjidhje një mbrojtës qendror nga futbolli botëror, për momentin mendoj se do të zgjidhja Gabriel”, tha ai tutje.
Duke lavdëruar formën e tij aktuale, Alan Shearer shtoi: “Ajo dëshira për të qenë në fund të topave që hyjnë në zonë, nga goditjet standarde, në të dyja zonat është e jashtëzakonshme.
Nuk është rastësi numri i herëve që topi përfundon tek ai, si kur mbron, ashtu edhe kur duhet të sulmojë në këndin e vet.
Është një aftësi dhe teknikë fantastike që të kesh atë që ka ai në të dyja zonat, është e mahnitshme”.
Gabriel është një nga disa lojtarë të Arsenalit që janë rikthyer në formë të plotë javët e fundit, duke i dhënë skuadrës një shtytje të nevojshme për muajt vendimtar në garën për titull.
Bashkëkombësi i tij brazilian, Gabriel Jesus, gjithashtu shënoi kundër Villas, goli i tij i parë pas një periudhe të gjatë jashtë për shkak të një dëmtimi serioz në gju.
Micah Richards mendon se sulmuesi mund të bëjë ndryshimin në garën për titull, e cila po bëhet një duel kryesisht mes Arsenalit dhe Manchester Cityt./BS




