5 C
Zurich
Friday, November 28, 2025
spot_img
spot_img

Letër Epike-Satirike për 28 Nëntorin

Duhet ti lexosh

Nga Florim USEIN, LUZERN

I nderuar Gjergj Kastrioti Skënderbeu

I nderuar Ismail Bey Qemal Vlora

I nderuar Ymer Prizreni

Ju shkruaj nga koha që erdhi pas jush, nga koha që ju e ndërtuat me shpata, me traktate, me besë dhe me kokëfortësi shqiptare. Po, po, ajo kokëfortësia jonë e famshme – që sot e përdorim më shumë për t’u grindur me njëri-tjetrin sesa për të ngritur flamurin lart. Por hajde, ashtu na ka dhënë Zoti karakterin.

Më falni për vonesën e urimit.

E kemi një traditë: gjithmonë bëjmë gati festën para se të kujtohemi për themeluesit.

E kemi art të vjetër, trashëgim i brezave: urimet vijnë pas daulleve.

GJERGJ, flamurin tënd e kemi ende.

Flamurin tënd e kemi prekur pak. Jo shumë, vetëm aq sa për t’ia bërë qefin Europës. E kemi stilizuar, modernizuar, europianizuar, veçse s’e kemi stabilizuar ende. Po punojmë.

E kemi çuar nëpër botë, e kemi ngritur nëpër syprina, nëpër ballkone, edhe nëpër tastiera. E kemi shndërruar në logo kompanish, në tatuazhe patriotësh momentalë, në statuja që s’i pastrojmë dot nga pluhuri… po mos u mërzit, ngjyrat i ka të njëjta. Veçse shqiponjën po e shtyjmë drejt Europës, të paktën në dokumente, se njerëzisht jemi pak mbrapa.

ISMAIL BEY, shtetin që shpalle ti e mbajmë përpara si foshnjë që ecën e bie, e kemi pak në servis. Puna s’ka mbaruar. Herë na fiket, herë ringjallet, ngrihemi, rrëzohemi, përplasemi bukur, por ama e kemi një vetëbesim magjik që çdo vit themi “këtë vit do bëhet”. A thua jemi komb i mbështetur nga një mekanizëm qiellor optimizmi që nuk shpjegohet.

E ti, YMER PRIZRENI, burrë i madh i trojeve, mos u mërzit për tapitë e tokave. Ti s’ke pse ankohesh. Shqipërinë e ke mirë. Madje shumë mirë. Aq mirë sa prej një Shqipërie kemi prodhuar disa copë. Edhe Kosovën e kemi nxjerr më vete, Iliridën e kemi në draft, e po mundohemi të rrisim prodhimin e shteteve, se na pëlqen loja me kryeministra. Ç’me pas një, kur mund t’i kesh pesë?

Sot kemi më shumë shtete sesa kishim atëherë me tokë reale. Disa i kemi me letër, disa me flamur, disa me deklarata për shtet, e disa me faqe Facebook-u. Po ç’rëndësi ka? Rëndësi ka që kemi kryeministra plot. E kemi bërë vendin si prodhim serik të karrigeve shtetërore.

Ju njoftoj se festa jonë ecën mirë. Tupana, fishekzjarre, ngjyra, zhurmë, entuziazëm. Po ashtu edhe një lloj amullie tipike shqiptare që i jep sharm mbrëmjes. Ata nga pushteti festojnë më ndryshe, me salla të ngrohta e tavolina të shtruara, sultana, protokoll, karrige të rehatshme, por e quajnë “ceremoni zyrtare” që të mos duket si gosti me salltanet.

Unë, i humbur diku në diasporë, ju shkruaj që të mos lodheni duke pritur lajm prej bijve tuaj aty poshtë. Janë mirë. Janë të shëndoshë. Thjesht janë të zënë duke zgjidhur problemet e tyre para se të kapen me problemet e kombit. Por mos i nxitoni. Prioritetet i kanë të qarta: fillimisht halli i tyre personal, pastaj kombi. Si thuhet: Nëse nuk do njeri veten, nuk mund të dojë as tjetrin. Me radhë.

Po ç’të bëjnë edhe ato të shkretët? Edhe vetëdija ka orar pune.

Sa për Shqipërinë, mos na u mërzitni. E kemi ndarë në copëza, por vetëm për menaxhim më të lehtë. Dikur kishim një Skënderbe, sot kemi nga një në çdo kryeqytet, në çdo qytet, madje edhe nëpër fshatra. Diku në këmbë, diku mbi kalë, diku i rritur, diku më i shkurtër. Kemi filluar të kemi edhe nga një Skënderbe modern: dikush flet fort, dikush rri mbi kalë me qira për foto, disa nëpër zyra, disa nëpër ekrane, disa nëpër foltore, e disa dalin vetëm ditëve të festave kombëtare për të bërë deklarata solemne me tekst të kopjuar, dikush heq videomesazhe nga TikTok-u. Por ama kënga këndohet. Të paktën për 28 Nëntor, jemi të gjithë patriotë me afat 24 orë.

Epo, kjo është gjendja e mbretërisë sonë të sotme.

Na doni kështu si jemi: punë torresh kemi bërë shumë… por në zemër, sa për krenari, vazhdojmë të jemi të parë. Kabllot i kemi ngatërruar, por zjarmin e mbajmë ndezur.

Ju urojmë 28 Nëntorin me të njëjtën shpresë të fortë, të verbër dhe të pandreqshme shqiptare që e trashëguam nga ju.

Dhe mos na pyesni për punë. Na lini pak kohë. Fillimisht rregullojmë veten, pastaj rregullojmë trojet. / HelveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Artikujt e fundit