NGA: PROF.DR.FADIL MALOKU, SOCIOLOG
Të thuash se Abdullah Hoti është kandidat i stabilitetit nuk është gabim. Por ta paraqesësh atë si figurë të ringjalljes së LDK-së është, në rastin më të mirë, vetë-mashtrim politik. LDK sot nuk ndodhet në fazën e stabilizimit; ajo ndodhet në fazën e mbijetesës. Dhe në kriza ekzistenciale, stabiliteti shpesh është sinonim i paralizës së mëtejme, sidomos për një subjekt me një trashëgimi gati katërdekadëshe politike.
Pra, kur e themi këtë konstatim fillestar, pa dyshim që duhet të kemi edhe argumente që e “mbulojnë” atë. Ndër këto argumente duhet të numërohen:
Abdullah Hoti, si kandidat i vetëshpallur, duke llogaritur përvojën dhe kapitalin e tij institucional, por jo edhe aq shumë karizmatik (ish-kryeministër, ish-zëvendëskryeministër, figurë e “trashëgimisë” meritokratike), për pjesën dërmuese gjithsesi përfaqëson vazhdimësinë rugoviane, e cila karakterizohej nga një retorikë jo konfliktuale dhe tejet indiferente.
Mirëpo, kandidati Abdullah Hoti, në anën tjetër, ka edhe disa hendikape që do t’i quanim jo edhe aq të parëndësishme për një subjekt që pësoi traumë kolektive me zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ndër hendikapet kryesore, nga këndvështrimi sociologjik, mund të adresohet mungesa e kapitalit mobilizues, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm kur bëhet fjalë për mobilizimin emocional nëpër degët ku ky subjekt ka shtrirje.
Po ashtu, një hendikap tjetër në rastin e Abdullah Hotit është fakti se të qenit në vazhdimësi teknokrat dhe pedagog par excellence nuk nënkupton domosdoshmërisht të qenit lider karizmatik, ashtu siç ishte, për shembull, Ibrahim Rugova, apo siç është sot Albin Kurti.
Këtë e themi edhe për shkak se LDK-në e sotme e shoqërojnë tri fraksione:
1) fraksioni i parë, që në vazhdimësi e ka identifikuar veten si fraksioni institucionalist (ish-qeverisës, deputetë, së bashku me burokracinë partiake), për të cilin besohet se Hoti i ka në anën e tij;
(2) fraksioni i dytë, i identifikuar si reformist, pra grupi që shquhet si anti–status quo (gjenerata e TikTok-ut, aktivistët urbanë që e perceptojnë ndryshe angazhimin partiak), i cili, dorën në zemër, ose ka dilema serioze, ose është tërësisht kundër kandidimit të Hotit; dhe
(3) fraksioni i tretë, ai i të zhgënjyerve, i “rekrutuar” kryesisht pas dy humbjeve të fundit zgjedhore, kur lider ishte Lumir Abdixhiku. Ky fraksion nuk ka ndonjë kauzë të posaçme, por është lehtësisht i manipulueshëm kur bëhet fjalë për votimin e liderit të ardhshëm të LDK-së.
Së fundi, Abdullah Hoti është figurë e politikanit korrekt, gjë që e bën të pranueshëm kryesisht për strukturat e brendshme dhe për faktorin ndërkombëtar. Por, në këto kohë tronditjesh lokale, korrektësia dhe lojaliteti nuk janë virtyte të rekomanduara për një parti në krizë të thellë; përkundrazi, ato mund të shndërrohen në helm dhe dobësi evidente.
LDK sot, e katandisur dhe e ballafaquar me mbijetesë politike, nuk ka më nevojë për qetësi, por për tronditje elektorale. Përzgjedhja eventuale e Hotit për kryetar nuk ka asnjë shans të tronditë as gjeneratën e mesme, e as atë të TikTok-ut. Thënë me eufemizëm: Hoti nuk trondit asgjë dhe askënd! Ai di vetëm të administrojë me pedantëri shtetin dhe tě ligjëroj me saktësi teknokrati, para studentëve.
Kështu, me Hotin kryetar, LDK rrezikon të mbetet parti e elektoratit në pension politik, e jo parti dinamike e së ardhmes që di t’i menaxhoj sfidat. Sepse, është e dijtur, por edhe e faktuar politikisht se; subjektet që në kohë krizash, zgjedhin kuadro “të sigurta”, (ashtu siç bëri e PDK-ja me AAK-ën) pra edhe të besueshme, zakonisht me këtë veprim ato zgjedhin alternativën e menaxhimit të rënies së mëtejme, e jo konditat dhe premisat për një katarsis apo ringritje të mirëfilltë historike.




