Lidhja Demokratike e Kosovës ka thirrur mbledhjen e 7-të të Kryesisë së saj, e cila do të mbahet nesër nga ora 15:00. Ftesa, e nënshkruar nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, përmban pesë pika kryesore që pritet të diskutohen, me fokus të veçantë zgjedhjet e fundit lokale dhe ato të jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Kryesia e LDK-së pritet të diskutojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale, ku do të prezantohet një analizë politike e fushatës, identifikimi i pikave të forta e të dobëta, si dhe vlerësimi i degëve dhe kandidatëve në garë.
Një nga pikat kryesore është propozimi dhe procedura e votimit për nominim të kandidatit zyrtar të LDK-së që do të garojë për postin e Kryeministrit në zgjedhjet e ardhshme. Diskutimet dhe qëndrimet e anëtarëve të Kryesisë do të jenë përcaktuese për vendimin final.
Sipas dokumentit, Kryesia do të hartojë edhe planin e fushatës, të shqyrtojë organizimin në terren, mobilizimin e degëve dhe strategjinë mediatike. Po ashtu do të trajtohen çështje të logjistikës dhe koordinimit me Shtabin Zgjedhor.
Në mbledhje do të vendoset data e mbajtjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ku pritet të paraqiten dokumentet zyrtare dhe të miratohen materialet për zgjedhjet.
Diskutime shtesë mund të përfshijnë çështje statutare, ndryshime në përbërjen e Kryesisë dhe vendime operative sipas nevojës, transmeton Bsot.





