Netstal – Në zemër të komunitetit shqiptar në Kantonin Glarus, LAPSh-Kt.Glarus organizoi një festë të paharrueshme me rastin e Ditës së Flamurit, duke sjellë një atmosferë të jashtëzakonshme krenarie, gëzimi dhe bashkimi kombëtar. Nën udhëheqjen e mësueses Liresa Berisha, nxënësit e shkollës shqipe sollën në skenë një program të pasur artistik, ku u ndërthurën recitimet, këngët dhe vallet tradicionale shqiptare.

Salla e mbushur me prindër, familjarë dhe dashamirës të kulturës shqiptare u përshkua nga emocionet që përcillnin fëmijët, të cilët shkëlqyen me interpretimet e tyre plot entuziazëm. Performancat e tyre, të përgatitura me përkushtim, rrezatuan dashurinë për gjuhën dhe identitetin kombëtar, duke dëshmuar rëndësinë e ruajtjes së këtyre vlerave edhe larg vendlindjes.
Dita kuqezi, e cila u ndje në çdo cep të sallës, u shndërrua në një simbol të fuqishëm të bashkimit dhe krenarisë sonë kombëtare. Festimi i Flamurit në Netstal u bë një përjetim i veçantë që forcoi lidhjet brenda komunitetit dhe rikujtoi se tradita shqiptare mbetet e gjallë e e paprekur edhe në diasporë.

Programin festiv e begatoi edhe Shoqata Bashkimi nga Uster, e cila me performancat e tyre vallëzimore solli energji, elegancë dhe profesionalizëm. Vallet e tyre morën duartrokitje të zjarrta dhe u pritën me admirim të veçantë nga të gjithë të pranishmit.
LAPSh-Kt.Glarus i shpreh mirënjohjen e thellë të gjithë kontribuuesve që e bënë të mundur këtë festë kaq të bukur dhe domethënëse. Falënderime të përzemërta u drejtohen nxënësve për shkëlqimin e tyre, prindërve për mbështetjen, mësueses Liresa Berisha për angazhimin e saj të palodhur, si dhe kryesive të LAPSh-Kt.Glarus dhe BISh-Kt.Glarus për bashkëpunimin e ngushtë. Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë vullnetarët, të cilët me përkushtimin e tyre bënë që festa të realizohej në mënyrën më dinjitoze.

Festa e Flamurit e organizuar nga LAPSh në Glarus u shndërrua në një dëshmi të qartë se komuniteti shqiptar vazhdon të ruajë me krenari trashëgiminë, gjuhën dhe traditat kombëtare — duke e mbajtur gjallë shpirtin shqiptar kudo ku jeton, njofton LAPSh-Kt.Glarus, transmeton helveticALforum.ch




