2.2 C
Zurich
Tuesday, December 16, 2025
spot_img
spot_img

LAPSH “Naim Frashëri” dhe Ambasadori Mentor Latifi diskutojnë për mbështetjen e arsimit shqip në diasporë

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim HEBIBI

Zürich, 15 dhjetor 2025 – Kryetari i LAPSH “Naim Frashëri” për Kantonin Cyrih, Prof. Naser Ulaj, i shoqëruar nga stafi i tij, Lulzim Hasi, Gëzim Kasumaj dhe Fatjon Bajrami, mbrëmë zhvilluan një takim të rëndësishëm në Konsullatën e Kosovës në Cyrih.

Në këtë takim, ata u pritën nga Ambasadori i Kosovës në Bernë, Shkëlqesia e Tij z. Mentor Latifi, dhe Shefi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, së bashku me disa nga anëtarët e stafit të konsullatës. Po ashtu, në këtë bashkëbisedim mori pjesë edhe z. Elis Badalli, Drejtori i Departamentit për Diasporën pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Takimi u karakterizua nga një atmosferë e ngrohtë, vëllazërore dhe shumë pozitive. Prof. Ulaj falënderoi Ambasadorin Latifi për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë LAPSH “Naim Frashëri” që nga dita e parë e detyrës së tij. Ai shprehu shpresën se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke theksuar kontributin e madh të babait të tij, publicistit të njohur z. Shaip Latifi, në përkrahjen e arsimit shqip në diasporë.

Gjatë bashkëbisedimit, Prof. Ulaj përcolli përshëndetjet e gjithë ekipit të mësuesve, prindërve dhe nxënësve të LAPSH-it, duke theksuar se sytë e tyre janë gjithmonë nga shteti, në shpresën për të forcuar më tej institucionin, i cili ka përjetuar dhe mbijetuar situata të vështira për më shumë se 30 vjet.

Ai theksoi se, pavarësisht vështirësive të shumta me të cilat përballet LAPSH, ky institucion do të ecë përpara dhe do të bëhet edhe më i fortë, duke ruajtur gjuhën shqipe dhe vlerat kulturore të kombit. “Ne kemi mbështetjen e prindërve, afaristëve dhe dashamirësve të gjuhës shqipe,” tha Prof. Ulaj, duke vënë në pah rëndësinë e përkrahjes së komunitetit për suksesin e mësimdhënies në diasporë.

Ambasadori Latifi u njoh nga afër me gjithë aktivitetin e zhvilluar gjatë vitit 2025 dhe u vlerësua veçanërisht vizita e tij personale në LAPSH, e cila dëshmon përkushtimin dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme ndaj këtij institucioni. Ai shprehu kënaqësinë që pati mundësinë të bisedojë drejtpërdrejt me stafin e LAPSH-it dhe i inkurajoi ata që të vazhdojnë punën e palodhur në shërbim të arsimit shqip në Cyrih.

Në përmbyllje të takimit, Prof. Naser Ulaj uroi Ambasadorin Latifi, drejtuesit e konsullatës dhe gjithë stafin e pranishëm për një vit të mbarë dhe të suksesshëm, me shpresën që bashkëpunimi i deritanishëm të thellohet edhe më tej. Ambasadori Latifi iu bashkua urimit, duke çmuar lart punën e madhe, përkushtimin dhe sakrificën e mësuesve të LAPSH “Naim Frashëri” për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe te brezat e rinj në diasporë.

Në fund, u shprehën zotime të përbashkëta se LAPSH “Naim Frashëri” do të arrijë suksese edhe më të mëdha në vitet që vijnë, duke ruajtur standardet e larta dhe duke forcuar rolin e tij si qendër e arsimit dhe kulturës shqiptare në diasporë.

Ky takim nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve arsimore në diasporë dhe përfaqësive diplomatike të Republikës së Kosovës, si dhe përkushtimin e përbashkët për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar jashtë atdheut, në kuadër të veprimtarisë së LAPSH “Naim Frashëri”. / HelveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme