1.6 C
Zurich
Monday, December 15, 2025
spot_img
spot_img

LAPSH Cyrih organizoi darkën e fundvitit

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim HEBIBI

Zürich, 14 dhjetor – Si çdo vit, edhe këtë vit LAPSH – Kanton Cyrih, së bashku me stafin e saj, organizoi një ndejë-darkë modeste për të shënuar përmbylljen e vitit dhe për të reflektuar mbi punën, sfidat dhe arritjet e realizuara gjatë tij, si dhe për të diskutuar objektivat për vitin që po vjen.

Në këtë takim miqësor dhe bashkëbisedues, presidenti i LAPSH për Kanton Cyrih, prof. Naser Ulaj, falënderoi të gjithë kolegët, mësimdhënësit dhe veprimtarët që kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar gjatë vitit, duke bërë të mundur që shkolla plotësuese shqipe “Naim Frashëri” të funksionojë me sukses edhe gjatë këtij viti shkollor.

“Natyrisht që kemi pasur ngarkesa dhe sfida të shumta, por më e rëndësishmja është se ia kemi dalë së bashku”, theksoi ndër të tjera prof. Ulaj. Ai nënvizoi se çdo kontribut, sado i vogël, është një investim i drejtpërdrejtë në edukimin e brezave të rinj dhe në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar shqiptar në diasporë.

Gjatë darkës, të pranishmit patën mundësinë të analizojnë vitin që po lëmë pas, ndërsa një temë e veçantë diskutimi ishte edhe manifestimi i 28 Nëntorit, i cili u organizua disa ditë më parë dhe u përmbyll me pjesëmarrje të madhe të bashkatdhetarëve, duke dëshmuar interesimin dhe lidhjen e fortë të komunitetit shqiptar me festat kombëtare.

Prof. Ulaj shprehu falënderime të veçanta për prindërit, afaristët bamirës, si dhe për mediat që kanë mbështetur aktivitetet e LAPSH-it, duke përmendur qendrën mediale helveticALforum.ch, Bota Sot, gazetën Dielli, si dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në forma të ndryshme. Ai theksoi se nevojitet edhe më shumë hapësirë dhe mbështetje mediale në të ardhmen, duke shprehur shpresën që gjatë vitit 2026 kjo mbështetje të rritet në funksion të së ardhmes së brezave të rinj.

Një falënderim i veçantë iu drejtua edhe bashkatdhetarit Naim Shashivari, i cili nuk kurseu kohën dhe përkushtimin për përgatitjen e një darke të shkëlqyer për kolektivin e LAPSH-it. Në një atmosferë miqësore, anëtarët e ekipit uruan njëri-tjetrin për suksese të reja gjatë vitit 2026 dhe pushime të mbara festive.

Kjo ndejë u vlerësua si një moment reflektimi dhe vlerësimi për një punë të shenjtë – ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe në mërgatë. Prof. Ulaj falënderoi disa herë edhe shtetin zviceran, i cili krijon kushtet e nevojshme që mësimi plotësues në gjuhën shqipe të zhvillohet në kuadër të LAPSH-it.

Ai shprehu optimizmin se në vitin e ardhshëm do të ketë angazhim edhe më të madh për zgjerimin e shkollave plotësuese shqipe dhe rritjen e numrit të nxënësve, duke pasur parasysh se komuniteti shqiptar në Zvicër është i madh. “Bashkëpunimi dhe vullneti nuk na mungojnë; mbetet vetëm të jemi më unikë dhe të veprojmë edhe më fuqishëm”, theksoi ai.

Prof. Ulaj përmendi gjithashtu se LAPSH është përballur edhe me disa pengesa, por theksoi se ato do të tejkalohen dhe se organizata nuk do të dorëzohet kurrë në misionin e saj për të mirën e gjuhës shqipe. “LAPSH ka filluar veprimtarinë që nga viti 1990, ka mbijetuar kohë shumë të vështira dhe do të vazhdojë të ekzistojë”, u shpreh ai me bindje.

Në fund të takimit u realizua edhe një fotografi kujtimi, ndërsa kryetari i LAPSH-it falënderoi edhe një herë kryesinë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për të mirën e kësaj organizate.

Në përmbyllje, prof. Naser Ulaj uroi të gjithë pjesëmarrësit për festat e fundvitit dhe një vit 2026 të suksesshëm, me më shumë punë, unitet dhe arritje në shërbim të arsimit dhe gjuhës shqipe në diasporë.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme