Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se lahuta është shpallur zyrtarisht pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, në listën për mbrojtje urgjente.
Përmes një postimi në Facebook, Rama e cilësoi këtë vendim si një moment krenarie për kulturën dhe identitetin shqiptar.
“Lahuta, pjesë e UNESCO-s. Lahuta është shpallur zyrtarisht pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale në listën e UNESCO-s, për mbrojtje urgjente” shkruan kryeministri, duke shoqëruar njoftimin me simbolin e yllit dhe ikonën e instrumentit tradicional, duke theksuar rëndësinë historike dhe shpirtërore të këtij instrumenti në kulturën shqiptare.
I lindur në krahinat veriore shqiptare dhe i trashëguar brez pas brezi, arti i lahutës ka mbajtur gjallë Eposin e Kreshnikëve, baladat dhe vlerat e trimërisë, besës, nderit dhe mikpritjes, një trashëgimi që bashkon hapësirën kulturore shqiptare nga Malësia e Madhe deri në Rugovë, Drenicë, Plavë e Guci.
Edhe Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja deklaroi se lahuta, është një prej thesareve më të çmuara të identitetit kulturor, ndërsa theksoi se përfshirja e saj në Unesco është rezultat i njjë procesi të gjatë kërkimor të udhëhequr nga një grup studiuesish sikurse: Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge.
Gonxhja shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për ruajtjen, promovimin dhe fuqizimin e pasurisë së rrallë kulturore, duke mbajtur të hapur edhe bashkëpunimin e ardhshëm me Kosovën.
“Një nga thesaret më të çmuara të identitetit kulturor, arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së lahutës, është përfshirë zyrtarisht në pasurinë botërore të trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s në listën për nevojë urgente mbrojtje.
Arti i të kënduarit, të luajturit dhe bërja e lahutës përfaqësojnë një element thelbësore të identitetit në hapësirën shqiptare rurale të kultivuar ndër shekuj në krahinat veriore dhe përtej që nga Malësia e Madhe, Dukagjini, Malësia e Gjakovës, Rugova, Drenica, Plava dhe Gucia. Eposi i Kreshnikëve dhe balada të traditës shqiptare veriore, në duart e lahutarit kanë shprehur në shekuj virtytet e trimërisë, qëndresës, nderit, besës dhe mikpritjes.
Ky sukses është rezultat i një procesi të gjatë, kërkimor të udhëhequr nga grupi i studiuesve: Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge.
Puna e tyre, së bashku me sesionet komunitare dhe kërkimet në terren, finalizoi një dosje të standardeve më të larta të UNESCO-s, e dorëzuar në mars 2024.
Procesi u mbështet nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në kuadër të marrëveshjes për përgatitjen e dosjeve të trashëgimisë jomateriale shqiptare.
Shqipëria mbetet e angazhuar për të ruajtur, promovuar dhe fuqizuar këtë pasuri të rrallë kulturore, duke mbajtur të hapur edhe bashkëpunimin e ardhshëm me Kosovën”, shkruan Gonxhja.
Përfshirja e lahutës në listën e UNESCO-s synon të garantojë ruajtjen, dokumentimin dhe promovimin e këtij instrumenti unik, i cili është transmetuar brez pas brezi përmes këngëve epike dhe rrëfimeve tradicionale.
Ky vlerësim ndërkombëtar pritet të rrisë vëmendjen ndaj trashëgimisë së pasur kulturore shqiptare dhe të nxisë iniciativa të reja për mbrojtjen e saj, transmeton rtsh.




