Shkurti sjell disa ndryshime të rëndësishme në Zvicër që prekin të gjithë qytetarët Shkurti sjell disa ndryshime të rëndësishme në Zvicër që prekin të gjithë qytetarët – nga drejtuesit e automjeteve, tek dhuruesit e gjakut dhe nxënësit e shkollave. Autoritetet kanë prezantuar rregulla të reja që hyjnë në fuqi nga 1 shkurti 2026 dhe që synojnë të përmirësojnë sigurinë, shëndetin publik dhe mbrojtjen e kafshëve.
Vigneta e re e autostradave
Një ndryshim i rëndësishëm për drejtuesit e automjeteve është vija e fundit e vlefshmërisë për vignetat: pothuajse pesë milionë vigneta të vjetra skadojnë në fund të janarit. Nga 1 shkurti, të gjithë ata që udhëtojnë në autostradat zvicerane duhet të kenë vignetën e re për vitin 2026. Mungesa e saj mund të kushtojë një gjobë, paralajmëron TCS (Klubi i Mobilitetit Zviceran), transmeton 20min.ch. Vigneta e re ka ngjyrë blu dhe duhet të vendoset në cep të xhamit të përparmë ose pas pasqyrës së brendshme. TCS këshillon heqjen e vignetave të vjetra për të mos penguar pamjen e drejtuesve dhe për të shmangur gjobat. Edhe poseduesit e vignetave elektronike duhet t’i blejnë sërish ato, pasi rinovimi nuk bëhet automatikisht.
Autoritetet paralajmërojnë për mashtrues që ofrojnë vigneta jashtë portalit zyrtar të Administratës Federale të Doganave dhe Sigurisë Kufitare (BAZG). Çmimi i vignetës, qoftë në variantin fizik ose elektronik, është 40 franga, pa tarifa shtesë. Çdo shtrenjtim i tepruar mund të tregojë faqet e rreme të mashtruesve.
Rregulla të reja për dhurimin e gjakut
Pas katastrofës në Crans-Montana, qendrat e dhurimit të gjakut u mbushën me vullnetarë, ndërsa spitalet kërkuan që dhuruesit të ktheheshin më vonë për të ruajtur rezervat e gjakut.
Nga 1 shkurti, pas 20 vjetësh, hyjnë në fuqi lehtësime në kriteret për dhurimin e gjakut. Tani, mund të dhurojnë gjak edhe personat që kanë pasur transfuzione, që kanë qëndruar për një kohë të gjatë në Mbretërinë e Bashkuar ose kanë pasur disa ndërhyrje mjekësore. Arsyeja është se studimet e fundit tregojnë se rreziku i transmetimit të variantit të sëmundjes Creutzfeldt-Jakob përmes gjakut është jashtëzakonisht i ulët.
Në Britani, më parë ekzistonte një rrezik i shtuar për infeksion me këtë sëmundje të rrallë, të vdekjeprurëse dhe të transmetueshme të trurit.
Rifillimi i kapjes së linçëve
Pas një gabimi të bërë dy vjet më parë në kuadër të rregullave për ujqërit në Surselva, kantoni Graubünden, ku u qëlluan gabimisht tre linçë, autoritetet synojnë të rikuperojnë popullsinë e tyre. Nga shkurti 2026, Instituti për Shëndetin e Peshqve dhe Kafshëve të Egra dhe fondacioni Kora, në bashkëpunim me autoritetet kantonale të gjuetisë, do të fillojnë kapjen e një linçi në zonën e Zherës (Jura). Një tjetër planifikohet të kapet në vitin 2028 në Rumani ose Sllovaki. Që të dy linçët do të lirohen më pas në Surselva, me qëllim që popullata të rikuperohet dhe të riparohen dëmet e shkaktuara nga ngjarjet e mëparshme.
Ndalohet përdorimi i telefonave në shkolla
Nga 1 shkurti, në kantonin Jura hyn në fuqi ndalimi i përdorimit të telefonave dhe orëve inteligjente në territorin e shkollave. Vetëm pajisjet e siguruara nga shkollat do të lejohen.
Kantone të tjera si Berni, Wallis, Nidwalden dhe Aargau kanë vendosur tashmë masa të ngjashme, qoftë në shkallë kantonale, qoftë në disa komuna të caktuara. Rregullat e reja që hyjnë në fuqi në shkurt synojnë të përmirësojnë sigurinë në autostrada, të lehtësojnë dhurimin e gjakut dhe të mbrojnë ambientin shkollor nga shpërqendrimet e pajisjeve elektronike. Autoritetet rekomandojnë që qytetarët të jenë të informuar dhe të respektojnë masat e reja për të shmangur gjobat dhe për të kontribuar në mirëqenien publike, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALforum.ch
https://www.20min.ch/story/neue-regeln-das-aendert-sich-im-februar-in-der-schweiz-103493184




