Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, zhvilloi një takim me ambasadorin austriak në Kosovë, Georg Schnetzer, ku diskutuan për zhvillimet aktuale politike në vend dhe procesin e formimit të qeverisë së re.
Sipas njoftimit të Qeverisë, ambasadori Schnetzer e uroi kryeministrin Kurti për fitoren bindëse në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke theksuar rëndësinë e rezultateve të procesit demokratik.
Gjatë takimit, Kurti i bëri të ditura synimet e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe integrim në Bashkimin Evropian, si dhe planet për investime të mëdha infrastrukturore gjatë mandatit të ri. Ai gjithashtu riafirmoi angazhimin e qeverisë për paqe dhe siguri në vend.
Ky takim vjen në një moment vendimtar për proceset politike në Kosovë, ndërsa vendi përgatitet për formimin e qeverisë së re dhe për avancimin e agjendës së integrimeve ndërkombëtare, transmeton rtk.




