Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka diskutuar për qeverisjen e tij të deritanishme dhe planet për ekonominë, politikën dhe strategjinë gjeo-politike në udhëheqjen e ardhshme, gjatë një bisede me Rory Stewart OBE në “Shtëpinë e Kosovës”, në kuadër të Forumit të Davosit.
Kurti theksoi se prioritet kryesor i tij mbetet rritja e cilësisë së shërbimeve, transparenca e proceseve dhe llogaridhënia. Ai vuri në dukje se ekziston një rezistencë e fortë e qytetarëve kundër kthimit në një sistem të korruptuar politik.
“Ne duhet të udhëheqim duke dhënë shembull. Asnjë anëtar i kabinetit qeveritar nuk duhet të ketë asnjë tendencë për të vepruar në mënyrë korruptive. Kosova është një shtet që monitorohet si nga faktorët ndërkombëtarë, ashtu edhe nga institucionet tona. Besoj fuqimisht se llogaridhënia do të jetë në nivel,” tha Kurti.
Ai theksoi se politika e qeverisjes së tyre është fokusuar kryesisht tek politikat sociale, investimet kapitale dhe zhvillimi ekonomik.
Kryeministri në detyrë gjithashtu komentoi për bllokadën politike disa mujore që çoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku LVV-ja fitoi 51% të votave.
Kurti foli edhe për planet destabilizuese të Serbisë dhe Rusisë ndaj Kosovës, duke përmendur veçanërisht luftën hibride ruse gjatë fushatës zgjedhore të fundit. Ai theksoi se përgjigjja më e mirë ndaj çdo sulmi shtetëror apo hibrid është përgatitja e ekspertëve më profesionistë në Agjencinë e Inteligjencës, për të siguruar një reagim të nivelit të lartë, transmeton rtk.




