Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, gjatë të cilit ka kërkuar mbështetjen e Parisit zyrtar për avancimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Në një deklaratë pas takimit, Kurti bëri të ditur se ka theksuar rëndësinë e përkrahjes së Francës për proceset integruese të Kosovës, duke nënvizuar gjithashtu nevojën për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve. Sipas tij, një nga hapat konkretë në këtë drejtim është organizimi i forumeve të reja të biznesit Kosovë–Francë.
Gjatë takimit që zgjati rreth dy orë, dy liderët diskutuan edhe për çështje të sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Në fokus ishte roli i NATO në Kosovë, si dhe angazhimi i misioneve të Bashkimi Evropian në vend.
Kurti theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për harmonizim të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm drejt integrimit.
Po ashtu, në takim u diskutua edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit, si dhe zbatimin e marrëveshjeve për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.
Në fund, kryeministri Kurti falënderoi presidentin Macron për pritjen dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës, duke shprehur besimin se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të thellohet edhe më tej në të ardhmen, transmeton rtk.




