
Nga Shefqet CAKOLLI, Winterthur
Në një atmosferë të mbushur me emocion, respekt dhe kujtesë historike, u mbajt në Bern të Zvicrës manifestimi përkujtimor “Kurora e Lirisë”, një aktivitet i veçantë kushtuar familjes legjendare Jashari dhe sakrificës së tyre për lirinë e Kosovës. Ky manifestim mblodhi në një vend shumë shoqëri, shoqata dhe ansamble kulturore shqiptare nga Zvicra, duke e shndërruar këtë ngjarje në një moment të rëndësishëm bashkimi për komunitetin shqiptar në diasporë.
Manifestimi u realizua në bashkëpunim me disa shoqata dhe organizata shqiptare në Zvicër, nën koordinimin dhe udhëheqjen e Mirishahe Limani Hiller, e cila me përkushtim dhe vendosmëri arriti të organizojë një aktivitet kaq të madh dhe dinjitoz në nderim të familjes Jashari dhe vlerave të luftës çlirimtare të Kosovës.
Në mesin e shumë shoqërive dhe ansambleve pjesëmarrëse ishte edhe Shoqëria Kulturore-Artistike “DARDANIA” nga Winterthuri, e cila mori pjesë edhe si bashkëorganizatore e këtij manifestimi. Shoqëria Dardania u paraqit para publikut me dy pika artistike. Në bllokun e parë të programit u prezantua një valle instrumentale e ekzekutuar nga motrat Aurelia dhe Kleofina Ballaj, të cilat si debutante të reja në moshë interpretuan me vegla burimore, duke zgjuar interesim dhe kurreshtje të veçantë te publiku.
Në bllokun e dytë të programit artistik, valltarët e shoqërisë u paraqitën me vallen “Çerçiz Topulli”, në koreografinë e Gëzim Alimehmetit, dhe vijim të asistentëve të shoqërisë, dhe që ishte një interpretim që u prit me duartrokitje dhe vlerësime të shumta nga publiku i pranishëm.
Paraqitja e SH.K.A “DARDANIA” u shoqërua me një mori komplimentesh dhe urimesh, si nga njohës të kulturës dhe folklorit, ashtu edhe nga publiku i gjerë. Të pranishmit vlerësuan veçanërisht interpretimin artistik, veshjen tradicionale dhe paraqitjen skenike të grupit, duke e konsideruar këtë performancë si një nga momentet më të bukura të programit artistik, sidomos për ata që e njohin historinë e heronjve Çerçiz Topulli dhe Mihail Grameno.
Manifestimi pati edhe një pjesëmarrje të gjerë të mysafirëve nga Kosova, gjithsej rreth 18 të ftuar, duke i dhënë këtij aktiviteti një dimension të rëndësishëm institucional dhe kulturor. Ndër ta ishin Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, si dhe Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.
Po ashtu morën pjesë përfaqësues të diplomacisë shqiptare në Zvicër, përfshirë përfaqësues nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bern, nga Ambasada e Shqipërisë, si dhe nga përfaqësitë diplomatike të vendeve të tjera, ndër ta edhe Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ndër mysafirët e nderit ishte edhe Lulzim Jashari, përfaqësues i familjes Jashari, si dhe profesori i njohur Agim Vinca, përveç shumë personaliteteve të tjera nga jeta institucionale dhe kulturore e Kosovës.
Një vlerë të veçantë këtij manifestimi i dha edhe pjesëmarrja e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Kosovës, një nga institucionet më të rëndësishme të kulturës shqiptare.

Manifestimi “Kurora e Lirisë” u shndërrua në një aktivitet të rëndësishëm për komunitetin shqiptar në Zvicër, duke bashkuar artin, kulturën dhe kujtesën historike në nderim të sakrificës së familjes Jashari dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
Në hollin e sallës ishte organizuar edhe ekspozita e Sefer Aliçkajt, me titull “Prekazi – dashuri, dhimbje dhe krenari kombëtare”. Gjithashtu ishin vendosur tavolina ekspozuese ku shoqëritë dhe ansamblet pjesëmarrëse prezantuan materiale informative, revista dhe libra. Ndër to u ekspozuan edhe libri monografik dhe disa revista të SH.K.A “DARDANIA” nga Winterthuri.
Vlen të theksohet edhe përkushtimi i të gjitha grupeve artistike pjesëmarrëse, të cilat me respekt dhe durim pritën radhën për paraqitjen e tyre në skenë, duke dëshmuar nivel të lartë organizimi dhe respekti për këtë manifestim.

Pjesa përmbyllëse e programit artistik u rrumbullakësua me një inskenim simbolik të 52 martirëve dhe të rënëve të familjes Jashari, ku u ndezën 52 qirinj në nderim të tyre, një moment i organizuar nga zonja Mirishahe Hiller, i cili krijoi një atmosferë shumë emocionale për të gjithë të pranishmit.
Në fund të programit artistik u paraqit Ansambli Kombëtar i Kosovës “Shota”, i cili shpalosi vlera të larta artistike dhe kombëtare. Njëkohësisht mbetet dëshirë dhe pritje që ky ansambël të jetë edhe më aktiv në mesin e komunitetit shqiptar në diasporë dhe të vazhdojë të kultivojë e të përcjellë sa më shumë valle dhe vlera folklorike tek brezat e rinj, sepse për shumë shoqëri dhe ansamble kulturore ai mbetet një pikë referimi dhe frymëzimi.
Përmes aktiviteteve të tilla kulturore dhe përkujtimore, komuniteti shqiptar në diasporë vazhdon të ruajë dhe të përcjellë tek brezat e rinj historinë, vlerat dhe identitetin kombëtar, duke dëshmuar se lidhja me atdheun mbetet gjithmonë e gjallë. /HelveticALForum.ch




