
Nga Dashnim HEBIBI, Zürich
Kanë mbetur edhe pak orë deri në ndërrimin e viteve. Viti 2026 po troket. Dhe unë i thashë vetes disa fjalë, pa zhurmë, pa muzikë, pa fishekzjarre. Sepse po shoh se këtij ndërrimi viti po i jepet një rëndësi e tepruar, sikur nga qielli do të zbresë ndonjë mrekulli e madhe, e mbushur me ar, begati dhe drejtësi. Muzikë kudo, tallava pa fund, restorante plot, gota që ngrihen, buzëqeshje të sforcuara… e ndërkohë, mjegull. Shumë mjegull.
Po i harrojmë ata që mezi e sigurojnë bukën e gojës. Po i harrojmë dëshmorët, që dhanë jetën për këtë tokë. Po i harrojmë jetimët, invalidët e luftës, familjet që dridhen nga të ftohtit dhe presin dritën e mëngjesit me frikë, sepse nuk kanë me çfarë të ngrohen. Po i harrojmë të sëmurët rëndë, që luftojnë për jetën dhe që u duhen euro për shërim jashtë vendit. Po i harrojmë shumë njerëz… tepër shumë.
Gjatë gjithë vitit pamë ndarje, përçarje, sharje, urrejtje, padrejtësi, në të gjitha trojet tona etnike. Nuk jemi as 20 milionë, e megjithatë sillemi sikur jemi të tepërt për njëri-tjetrin. Mjerimi është kudo: andej e këndej. Kollare të shtrenjta, xhepa plot, restorante përplot… dhe fukaraja i shkret vetëm shikon. Papunësi e madhe. Një rini që, sapo i jepet mundësia, ikën nga vendi i të parëve, sepse këtu nuk sheh shpresë.
Ne që jemi larg vendit, e mbajmë mendjen të kthehemi ndonjëherë. Por kur sheh se poste kyçe mbushen pa meritë, kur sheh vjedhje, padrejtësi dhe tallje me popullin, të dhemb shpirti. Të dhemb për njerëzit, për vendin, për të ardhmen.
Viti i Ri festohet duke u gënjyer fëmijëve se Babagjyshi u sjell dhurata, në vend që t’u thuhet e vërteta: se puna, ndershmëria dhe sakrifica janë ato që sjellin mirëqenie. Nuk e kuptoj vërtet këtë paradoks. Papunësi e madhe nga njëra anë, kafene plot nga ana tjetër. Bastore, llotari, shpresa të rreme. Njerëz që kërkojnë mbetje nëpër kosha mbeturinash. Dhe mbi të gjitha, një shoqëri që bën sikur nuk i sheh.
Nuk jam pesimist. Nga natyra dhe shpirti jam optimist. Por nuk dua të shes mjegull. Dhe po, sot po shitet mjegull. Shumë mjegull.
Paramendoni vetëm për një çast: sikur eurot që do të shpenzohen sonte për muzikë, pije e zhurmë, të mblidheshin për të ndihmuar ata që vuajnë për një kafshatë buke. Sa lot do të thaheshin? Sa zemra do të ngroheshin?
Unë sonte nuk do të festoj. Jo në këtë gjendje mjerimi, jo në këtë kohë përçarjeje, jo kur ka kaq shumë nëna me lot në sy. Kjo tallava, kjo zhurmë boshe, më duket e pistë, tinëzare, e pakohe. Në vend të festës, unë do të lutem.
Do t’i lutem Zotit që na ka dhënë të mira, që të na bashkojë. Të na japë shëndet, të na ruajë familjet, të na sjellë drejtues të mirë, njerëz me ndërgjegje e zemër, në çdo drejtim të shoqërisë. Zoti na bekoftë të gjithëve, kudo që jemi, deri në skaj të botës.
Këto janë fjalë shpirti, pa asnjë ndalesë, të thëna për një çast të shkurtër reflektimi. Sepse mjerimi është kudo. Dhe nuk duhet harruar se shumica prej nesh kemi ardhur nga varfëria: bukë me sheqer, e ndonjëherë edhe me spec, përshesh me qumësht, pasul pa mish… Nga ato rrënjë vijmë. Dhe po t’i harrojmë, humbasim edhe veten.
Enkas për helveticALforum.ch




