7.9 C
Zurich
Monday, February 2, 2026
spot_img
spot_img

KUR SHTETI I HAP DERËN MËRGATËS – NJË HISTORI RESPEKTI NGA KONSULLATA E KOSOVËS NË CYRIH

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim HEBIBI

Cyrih, 02 shkurt 2026 – Jo çdo ditë dëgjon që një mërgimtar t’i shkruajë një institucioni shtetëror në mesnatë dhe të marrë përgjigje po atë natë. Jo çdo ditë një konsullatë të pret jo si numër protokolli, por si qytetarë i atij shteti. Pikërisht nga kjo përvojë e pazakontë në Cyrih nis një histori që flet për përgjegjësi shtetërore, respekt ndaj mërgatës dhe një model shërbimi që rrallë haset, por që duhet të jetë normë.

Mërgata shqiptare në Zvicër ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat më të fuqishme të kombit shqiptar – ekonomikisht, politikisht dhe moralisht. Për vite me radhë, ajo ka mbajtur gjallë lidhjen me atdheun, shpesh edhe në kushte jo të lehta, dhe sot kemi përfaqësuesit tanë që na mirëpresin me zemër. Prandaj, kur një institucion shtetëror funksionon ashtu siç duhet, kjo nuk duhet të kalojë pa u thënë. Një përvojë e tillë pozitive na vjen nga Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, ku shërbimi ndaj bashkatdhetarëve po dëshmon se shteti mund dhe duhet të jetë pranë qytetarëve të vet, kudo që ata jetojnë. Lulzim Shabani, i njohur si Lul Konçuli, mërgimtar nga Lugina e Preshevës, nga fshati Konçul – trevë ku edhe sot e kësaj dite valon flamuri kuq e zi – jeton dhe vepron prej vitesh në Zvicër me familjen e tij. Ai sot ka vizituar Konsullatën e Kosovës në Cyrih për të dorëzuar dokumentacionin për tre fëmijët e tij. Z. Shabani rrëfen se një natë më parë, rreth orës 23:00, i kishte dërguar një mesazh shefit të misionit konsullor të Kosovës, z. Vigan Berisha, duke i kërkuar ndjesë për shqetësimin në një orë të vonë, me bindjen se përgjigjja do të vinte në mëngjes. Por, për habinë e tij, përgjigjja erdhi që në mesnatë. Z. Berisha nuk e kishte njohur më herët fizikisht, por numrin e kishte gjetur nga një mik.

- Advertisement -

“Kisha dëgjuar fjalë të mira për korrektësinë dhe njerëzinë e tij dhe të gjithë stafit, por sot u binda personalisht,” shprehet Shabani. “Që nga momenti i parë u pritëm me respekt dhe ngrohtësi, sikur të ishim pjesë e familjes.” Shefi i misionit konsullor, z. Vigan Berisha, dëshmoi se përkushtimi ndaj bashkatdhetarëve nuk njeh orar. Konsullata e Kosovës në Cyrih funksionon realisht 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, duke u dalë në ndihmë qytetarëve pa vonesa dhe pa barriera të panevojshme.

Procedurat u përfunduan me profesionalizëm dhe korrektësi edhe nga z. Avni Zejnullahu, zëvendëskonsull në Cyrih, i cili u përkujdes që çdo dokument dhe çdo detaj të kryhej në mënyrë efikase, pa humbje kohe për palën.

Pas përfundimit të punëve zyrtare, z. Berisha dhe stafi treguan edhe një anë tjetër të rrallë të institucioneve tona: mikpritjen. U ofrua kafe dhe ujë, ndërsa mesazhi ishte i qartë dhe domethënës: “Ne punojmë këtu për ju. Kjo konsullatë është e gjithë mërgatës – shtëpia juaj.” Gjatë takimit pati mundësi edhe për bashkëbisedim rreth çështjeve kombëtare dhe trevave shqiptare. Duke qenë se bashkëshortja e Lulzim Shabanit është nga Kosova dhe tashmë edhe tre fëmijët e tij janë pjesë e kësaj familjeje shtetërore, z. Shabani bëri thirrje që Republika e Kosovës t’ua mundësojë shtetësinë të gjithë atyre që e dëshirojnë, sepse kjo përbën ndihmë konkrete edhe për trevat shqiptare jashtë Kosovës. Shefi i misionit konsullor në Cyrih, z. Vigan Berisha, edhe kësaj here dëshmoi se lodhja nuk ndihet kur puna kryhet me ndershmëri dhe respekt, duke ua kursyer bashkatdhetarëve pritjet e gjata dhe humbjen e ditëve të punës. Në fund, mbetet vetëm një përfundim: Kosovës i duhen përfaqësues të tillë. Nuk ka rëndësi prej nga vijnë, cilës parti i përkasin apo çfarë besimi kanë – rëndësi ka që detyrën shtetërore ta kryejnë me dinjitet dhe përgjegjësi. Ju lumtë!

- Advertisement -
- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme