Zürich, 20 dhjetor 2025 – Në emër të stafit të qendrës sonë mediale helveticALforum.ch, të Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, si dhe në emrin tim personal, shpreh falënderimet dhe mirënjohjen tonë më të thellë për Shefin e Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, si dhe për gjithë stafin e nderuar të Konsullatës, për letrën e ngrohtë, zemërore dhe shumë domethënëse të urimit dhe vlerësimit që kemi pranuar.

Që nga dita e parë e marrjes së detyrës, z. Berisha ka dëshmuar përkushtim të lartë institucional, seriozitet profesional dhe gatishmëri për bashkëpunim të hapur me komunitetin dhe institucionet e mërgatës shqiptare në Zvicër. Si platformë mediale dhe institucion shkencor, kemi qenë vazhdimisht pranë punës dhe aktiviteteve që ai dhe Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih kanë realizuar, duke i përcjellë ato me përgjegjësi, korrektësi dhe në përputhje të plotë me etikën dhe standardet profesionale të gazetarisë.
Edhe pse me z. Berisha nuk kemi pasur njohje të mëhershme personale, gjithmonë kemi respektuar dhe vlerësuar punën e tij dhe të ekipit të tij, ashtu siç kemi respektuar edhe kolegët e tij paraardhës. Në çdo rast kemi ruajtur pavarësinë editoriale, profesionalizmin dhe korrektësinë, duke iu përmbajtur rregullave dhe parimeve themelore të profesionit të gazetarisë.
Letra e urimit që kemi pranuar përbën një vlerësim të veçantë për punën që kemi bërë ndër vite, një punë e realizuar pa asnjë interes privat, pa synime për përfitime apo për klikime, por vetëm me qëllimin fisnik për të informuar drejt, saktë dhe me përgjegjësi lexuesit tanë dhe opinionin publik. Ky vlerësim institucional na motivon dhe na obligon që edhe në të ardhmen të vazhdojmë angazhimin tonë me përkushtim edhe më të madh.
Ky gjest i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe respektin reciprok mes institucioneve shtetërore dhe mediave serioze, në shërbim të interesit publik dhe forcimit të lidhjeve me mërgatën shqiptare.
Në emër të stafit tonë dhe të lexuesve besnikë të helveticALforum.ch, si dhe të bashkëpunëtorëve dhe anëtarëve të Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, i urojmë z. Vigan Berisha dhe gjithë stafin e Konsullatës shëndet të plotë, suksese të vazhdueshme në detyrën e tyre fisnike, një Vit të Ri të mbarë dhe sa më shumë afërsi me mërgatën shqiptare, sepse ajo e meriton.
Gëzuar dhe ju falënderojmë sinqerisht për vlerësimin dhe bashkëpunimin!
Me respekt të veçantë,
PhD Dashnim Hebibi
President i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me seli në Cyrih dhe Drejtues i platformës mediale helveticALforum




