1.7 C
Zurich
Thursday, January 8, 2026
spot_img
spot_img

Kur mungojnë përqafimet dhe shtrëngimi i duarve – rrëfim për një kohë që po na varfëron shpirtin

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim HEBIBI

Kur bisedon me prindërit tanë apo me njerëz pak më të moshuar, fjalia e parë që e dëgjon pothuajse gjithmonë është e njëjtë:

“Që kur dolën telefonat, askush nuk po vjen e askund nuk po shkojmë. Krejt sendet janë bërë në Facebook.” Edhe njoftimet për vdekje i shohim në ekran, po aty vijnë ftesat për dasma e gëzime. Dhe të moshuarit pyesin me habi e dhimbje: “Çka u bë kështu?”

Janë pyetje që shumë të rinj nuk i kuptojnë, sepse për ta gjithçka kalon përmes një telefoni. Nga ai informohen për çdo gjë, por rrallë takohen me njëri-tjetrin. Dikur kishte ndeja familjare, vizita mes miqsh e shokësh, biseda që zgjatnin me orë. Sot, edhe kur takohemi në kafe – e edhe ajo gjithnjë e më rrallë – secili e ka telefonin në dorë. Shkruajmë mesazhe, por nuk flasim. Kështu na rrëfen Avdija, një mërgimtar nga komuna e Gjilanit, i cili jeton dhe vepron në Zvicër.

“Ka ardhur një kohë e rëndë,” thotë ai me një zë të lodhur. “Edhe unë, 67 vjeç, nuk po kam më dëshirë të shkoj askund. Nuk ka kush të pret. Të gjithë janë nëpër punë, e edhe kur shkon diku, telefoni nuk u hiqet nga dora. Mezi presin të kthehen në shtëpi. Nuk ka më bashkëbisedim.”

Sipas tij, ka humbur diçka shumë e shtrenjtë për ne si popull: respekti dhe mikpritja, trashëgimi që e kemi pasur brez pas brezi si shqiptarë. E për mërgimin, thotë ai, as që ka nevojë të flitet shumë. “Kur shkojmë në atdhe, rrallë vjen kush të na shohë. Por kur vijnë ata në Zvicër, menjëherë ankohen pse nuk kemi ndenjur bashkë, pse nuk i kemi ftuar në dreka e darka.”

Në atdhe ka papunësi dhe më shumë kohë, që do të duhej të na afronin më shumë me njëri-tjetrin. Kurse në mërgim, puna të merr gjithçka: zgjohesh para se të lindë dielli dhe kthehesh kur ai perëndon. I sheh fëmijët duke u rritur para syve, por pa i jetuar siç duhet ato momente. E megjithatë, përqafimi dhe shtrëngimi i duarve me familjarë, miq e shokë është vetë jeta. Pa to, përbese, nuk i kemi punët mirë. Këtë dert e qau Avdija, i mllefosur, por edhe i thyer nga brenda. Dhe çdo fjalë e tij tingëllon e vërtetë.

Na merr malli të shkojmë diku apo të na vijë dikush. Takimet po na kufizohen vetëm në dasma dhe në të pame. Atëherë lind pyetja e madhe: kush e ka fajin? Jeta digjitale, apo ne që po përpiqemi të kopjojmë kultura të huaja – madje as t’i kopjojmë siç duhet?

Ky është një rrëfim i pastër i kohës sonë. Një pasqyrë ku secili prej nesh, herët a vonë, do ta gjejë veten mes këtyre shkronjave.

HelveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme