Përgatiti Dashnim HEBIBI
Cyrih, 08 dhjetor 2025 – Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, po zhvillon ditët e fundit një vizitë të rëndësishme zyrtare në Zvicër, ku ka takuar shumë mërgimtarë kamenicas, por edhe personalitete zvicerane me peshë në jetën politike dhe institucionale të kantonit të Cyrihut. Siç mëson helveticAL Forum, takimet e tij kulmuan sot me një vizitë zyrtare në Parlamentin Kantonal të Cyrihut, një nga institucionet më prestigjioze të shtetit zviceran.
I shoqëruar nga Konsulli i Republikës së Kosovës në Zvicër, z. Vigan Berisha, kryetari Rahimaj mori pjesë në një nga mbledhjet e rëndësishme të Qeverisë Kantonale, ku në rend dite diskutohej buxheti vjetor prej 20 miliardë frangash—një tregues i fuqisë së madhe ekonomike dhe organizative të këtij kantoni.

Gjatë kësaj vizite, Rahimaj zhvilloi takime të veçanta me zyrtarë të lartë, përfshirë z. Mario Fehr, anëtar i Qeverisë së Kantonit dhe drejtues i Departamentit për Siguri, si dhe z. Daniel Walfer, deputet dhe Kryetar i Komisionit për Siguri. Cyrihu, ashtu si shumë kantone zvicerane, vlerësohet si një nga vendet më të sigurta për të jetuar, dhe kjo është falë strukturave profesionale që udhëhiqen pikërisht nga figura të tilla.
Në këto takime nuk munguan diskutimet për bashkëpunim në fushën e sigurisë, me qëllim që praktikat më të mira zvicerane të mund të përcillen dhe të zbatohen gradualisht edhe në Kosovë, veçanërisht në Komunën e Kamenicës.
“Vizitë pas vizite, përvojë pas përvoje—kudo po mësojmë diçka të re për ta bërë Kamenicën edhe më mirë”, u shpreh kryetari Rahimaj, i cili e konsideron këtë udhëtim jo vetëm si një mundësi bashkëpunimi institucional, por edhe si një urë të fortë komunikimi me mërgatën.
Kjo vizitë konfirmon edhe një herë se diplomacia lokale, kur është aktive dhe e synuar, krijon ura të reja bashkëpunimi dhe hap dyer që mund të sjellin përfitime konkrete për komunat e Kosovës, transmeton helveticALforum.ch
(Foto nga FB)




