Sipas burimit helveticALforum.ch, kryetari i Komunës së Kamenicës po qëndron në Austri, ku po merr pjesë në Konferencën e Biomasës së Europës Qendrore – CEBC 2026, e cila po mbahet në qytetin e Grazit.Kjo konferencë konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme në nivel rajonal dhe evropian në fushën e biomasës, energjisë së rinovueshme dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Kryetari, së bashku me Uranin dhe Shpendin nga ekipi i tij, tash e dy ditë po qëndron në Graz, duke marrë pjesë aktive në sesionet e konferencës, diskutimet tematike dhe takimet me përfaqësues të institucioneve evropiane, organizatave ndërkombëtare dhe investitorëve potencialë në sektorin e energjisë së gjelbër.
Pjesëmarrja e Komunës së Kamenicës në CEBC 2026 vlerësohet si një mundësi e rëndësishme strategjike për të parë nga afër trendet më të reja në përdorimin e biomasës, për të eksploruar mundësitë e investimeve në këtë sektor, si dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi me partnerë evropianë që kanë përvojë të avancuar në zhvillimin dhe implementimin e projekteve të qëndrueshme energjetike.

Një fokus i veçantë i kësaj konference janë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, ku janë diskutuar sfidat, potencialet dhe politikat e nevojshme për rritjen e përdorimit të qëndrueshëm të biomasës. Në këtë kontekst, Komuna e Kamenicës ka pasur mundësinë të prezantojë progresin e arritur përmes projektit SUNREED, projekt ky që synon zhvillimin e energjisë së rinovueshme dhe eficiencës energjetike në nivel lokal, e ku Kamenica ka qenë pjesë përfituese.
Delegacioni i Komunës së Kamenicës po merr pjesë në kuadër të delegacionit të propozuar nga CNVP, organizatë ndërkombëtare e cila implementon projektin SUNREED dhe që njëkohësisht është pjesëmarrëse aktive në këtë konferencë. Pjesëmarrja komunale po shihet si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e praktikave më të mira me komuna dhe institucione të tjera evropiane, për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe për avancimin e dialogut politik mbi standardet, politikat dhe zhvillimin e projekteve që në thelb kanë shfrytëzimin e biomasës si burim i qëndrueshëm energjie, transmeton helveticALforum.ch
Një zhvillim i rëndësishëm për Kamenicën është fakti se komuna tashmë disponon edhe studimin e fizibilitetit për ndërtimin e ngrohtores së qytetit, projekt ky që mund të shfrytëzojë biomasën si burim kryesor energjie. Ky studim hap perspektiva konkrete për investime të reja dhe për përmirësimin e sistemit të ngrohjes, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e ndotjes, rritjen e efikasitetit energjetik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Nga Konferenca e Biomasës së Europës Qendrore CEBC 2026, përfaqësuesit e Komunës së Kamenicës po kthehen me ide të reja për investime, partneritete dhe projekte të mundshme, të cilat synojnë të kontribuojnë në progresin ekonomik, zhvillimin e qëndrueshëm dhe forcimin e kapaciteteve lokale të komunës.




