0.3 C
Zurich
Tuesday, November 18, 2025
spot_img
spot_img

Kryeministri sfidon BE-në: “Shqipëria gati pa kushte – jemi burim, jo barrë”

Duhet ti lexosh

Kryeministri Edi Rama iu drejtua sot në Bruksel Forumit të Zgjerimit të BE-së, ngjarja e parë e këtij lloji e organizuar nga Komisioni Evropian. Në fjalën e tij, Rama anashkaloi termin “zgjerim”, duke e zëvendësuar me fjalën “ribashkim”, duke e cilësuar atë si një domosdoshmëri historike për të ardhmen dhe vetëbesimin e kontinentit. Fjala e Ramës vjen në vijim të çeljes së grupkapitullit të fundit të negociatave të Shqipërisë, proces të cilin e përshkroi si “një rikuperim të jashtëzakonshëm të kohës së humbur”.

Rigjallërimi i besimit dhe “oksigjeni i pastër”

Kryeministri shprehu vlerësimin maksimal për punën e Komisioneres së Zgjerimit, Marta Kos, duke thënë se kishte humbur besimin se Brukseli mund të rigjente entuziazmin për zgjerimin.

“Këto muaj Marta na i ka mbushur me lëvizje, me rezultat dhe me një entuziazëm, i cili deri vonë besoja se Brukseli e kishte humbur, varrosur. Nuk mund ta imagjinoj se kur ka qenë hera e fundit që zgjerimi ka prodhuar kaq shumë debat konstruktiv, kaq shumë presion pozitiv dhe kaq shumë oksigjen të pastër politik,” theksoi Rama.

Vështirësitë

Duke iu referuar rrugëtimit të gjatë të Shqipërisë, Rama foli për tre momente ku BE nuk i mbajti premtimet për shkak të debateve të brendshme politike në shtetet anëtare. Megjithatë, këtë e quajti një “bekim të fshehur”.

“Ajo që nuk na vrau, na bëri më të fortë. Dhe ja që poshtërimi u shfaq porsi një bekim që ishte thjeshtë i fshehur dhe ne vazhduam përpara me një bindje të vetme dhe të palëkundur: Që ne nuk i bëjmë këto gjëra për Berlinin, Parisin apo Hagën, por për veten tonë, për vendin tonë dhe për brezat e ardhshëm.”, tha Rama.

Ai theksoi se Shqipëria, e cila ka hapur të gjithë kapitujt brenda 14 muajsh, mbetet plotësisht e gatshme, duke e parë BE-në si burim të hapur njohurish.

Pesë të vërteta të ribashkimit

Kryeministri renditi pesë arsye strategjike pse “ribashkimi” (zgjerimi) është thelbi i së ardhmes së Evropës:

Shërimi i plagëve

Rikujtimi i identitetit evropian dhe rindërtimi i besimit, siç vepruan Franca dhe Gjermania.

Zgjerimi i paqes

Evropa do të jetë më e sigurt atë ditë kur të mos ketë kufi të brendshëm që ndan Ballkanin Perëndimor.

Përmbushja e premtimit

Mosmbajtja e premtimit për vendet e Ballkanit Perëndimor luan me zjarrin dhe i ul autoritetin etik BE-së.

Çlirimi i prosperitetit

Zgjerimi sjell dinamizëm, novacion dhe energji rinore. “Shqipëria dhe Mali i Zi, si fillim, nuk janë barrë aspak, përkundrazi, ne sjellim burime, pozicion, popullsi, energji.”, tha Rama.

Zgjerimi funksionon

Përfitimet kanë tejkaluar frikën sa herë BE-ja ka ftuar anëtarë të rinj.

Propozimi i Shqipërisë

Pa veto dhe pa Komisioner

Duke iu përgjigjur argumentit se zgjerimi nuk funksionon me 29 apo 35 anëtarë, Rama bëri propozimin:

“Ne mund ta bëjmë të funksionojë, nëse e vëmë BE-në të parën. Pa veto, pa Komisioner. Për ne, as veto, as Komisioner. Pra, si ju duket? E realizueshme është kështu që, le të flasim për këtë gjë, ta diskutojmë.”

Kryeministri theksoi se Shqipëria e mbështet anëtarësimin 100% dhe se sjell “shpirtin e madh të dikurshëm të Evropës”, duke i shtuar kurorës së saj edhe një “gur tjetër të vogël të çmuar” dhe duke mos kërkuar asgjë tjetër, përveç mundësisë për t’i shërbyer Evropës.

“Ne jemi gati që të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian pa sjellë dhembje koke nga Ballkani, por duke i ndihmuar ata që t’i bëjnë ballë procesit të ballkanizimit, që në fakt po ndodh në shumë prej vendeve të tyre.”, theksoi Rama në mbyllje të fjalës së tij, transmeton rtsh.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Artikujt e fundit