Kosova po merr pjesë në Forumin Global për Ushqim dhe Bujqësi (GFFA), i cili po mbahet në Berlin dhe konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore.
Republika e Kosovës po përfaqësohet nga ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, i shoqëruar nga delegacioni i kësaj ministrie. Përgjatë tri ditëve të forumit, pjesëmarrësit po diskutojnë mbi sfidat globale të sektorit bujqësor, zhvillimin e qëndrueshëm, sigurinë ushqimore dhe politikat bujqësore në kontekst ndërkombëtar.
Gjatë takimeve dhe paneleve të ndryshme, delegacioni i Kosovës po prezanton të arriturat e vendit në fushën e bujqësisë, si dhe po adreson sfidat kryesore me të cilat përballet ky sektor, duke theksuar nevojën për bashkëpunim dhe mbështetje ndërkombëtare.
Forumi Global për Ushqim dhe Bujqësi shërben si një platformë e rëndësishme për dialog ndërmjet vendeve pjesëmarrëse, shkëmbim përvojash dhe ndërtim partneritetesh, me synimin e përbashkët për të avancuar zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe për të forcuar sigurinë ushqimore në nivel global, transmeton rtk.




