Cyrih, 29 dhjetor 2025 – Kosova Jep Shembull Demokratik – Mesazh Urimi nga Shoqata “Lugina e Preshevës” me qendër në ZvicërShoqata Humanitare “Lugina e Preshevës”, me seli në Zvicër, uron Kryeministrin në ardhje Albin Kurti, stafin e tij dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për fitoren e përgjithshme në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor.
Si shoqatë apolitike, humanitare dhe atdhetare, ne mirëpresim përfundimin e një procesi zgjedhor të qetë, demokratik dhe të standardeve të larta, i cili është vlerësuar pozitivisht nga opinioni vendor dhe ndërkombëtar. Zgjedhje të tilla janë dëshmi e pjekurisë demokratike dhe e funksionimit të shtetit të së drejtës në Kosovë.

Është e natyrshme që në çdo proces zgjedhor të ketë fitues dhe humbës, por mbi të gjitha fituesja e madhe është Kosova. Pranimi i rezultateve nga partitë garuese dhe respektimi i vullnetit qytetar përbëjnë akt qytetërimi dhe përgjegjësie politike, duke e forcuar më tej besimin në demokraci.
Në emër të Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës”, i drejtohemi qeverisë së re që do të formohet, me shpresën dhe besimin se angazhimi institucional ndaj Luginës së Preshevës do të jetë edhe më i madh dhe më konkret. Duhet pranuar se deri më tani ka pasur një afërsi dhe ndjeshmëri ndaj këtyre trevave, gjë për të cilën opinioni është i njoftuar dhe mirënjohës.
Megjithatë, popullata shqiptare e Luginës së Preshevës pret hapa të mëtejshëm dhe vendimtarë. Ne kërkojmë që të shqyrtohet seriozisht dhënia e shtetësisë së Republikës së Kosovës për shqiptarët e asaj ane, si dhe forcimi i lidhjeve institucionale, kulturore dhe politike. Sytë dhe shpresa e asaj popullate janë të drejtuara nga Kosova.
Po ashtu, konsiderojmë të domosdoshme që t’u jepet hapësirë diplomatëve dhe kuadrove profesionale nga Lugina e Preshevës, për të qenë më afër proceseve të politikëbërjes dhe përfaqësimit në Kosovë. Përfshirja e tyre do të ishte jo vetëm akt drejtësie, por edhe pasurim i diplomacisë dhe institucioneve kosovare.
Ne mbetemi në pritje të realizimit të premtimeve të dhëna dhe shpresojmë që ato të konkretizohen në veprime të qarta dhe të qëndrueshme.
Zoti e bekoftë Kosovën, të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe miqtë tanë ndërkombëtarë.
Edhe kësaj here u dëshmua se mërgata është dhe do të mbetet pranë çdo procesi jetik që përjeton atdheu.
Ph.D. Dashnim Hebibi
Kryetar i Shoqatës Humanitare
“Lugina e Preshevës” – Zvicër




