Chur, Zvicër – Shefi i Misionit Konsullor i Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, dje zhvilloi një takim të rëndësishëm në Chur, qyteti më i vjetër i Zvicrës dhe kryeqyteti i kantonit Graubünden, ku jeton edhe një komunitet i konsiderueshëm i bashkatdhetarëve tanë.
Gjatë vizitës së tij, z. Berisha pati një sërë takimesh me autoritete lokale dhe përfaqësues të komunitetit, por momenti kyç i ditës ishte takimi me Kryetarin e qytetit të Chur, z. Hans Martin Meuli.
“ Sot kisha kënaqësinë të takoj Kryetarin e qytetit të Chur, z. Hans Martin Meuli. Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe autoriteteve lokale, si dhe për të diskutuar mundësi bashkëpunimi në fusha të ndryshme,” tha z. Berisha pas takimit.
Chur, si një qendër e rëndësishme administrative, kulturore dhe historike, ofron potencial për bashkëpunim në fusha të ndryshme, duke përfshirë kulturën, arsimin dhe iniciativat komunitare. Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në përforcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe komunave zvicerane, duke u fokusuar në dialog dhe bashkëpunim konkret në dobi të qytetarëve, njofton helveticALforum.ch.
