Mynih – Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Mynih, z. Afrim Nura, mori pjesë në aktivitetin e Oktoberfest 2026, në kuadër të një organizimi të Korit Konsullor të Bavarisë, së bashku me përfaqësues të misioneve të ndryshme konsullore të akredituara në këtë land gjerman. Në këtë ngjarje të rëndësishme, e cila bashkon përfaqësues të diplomacisë, institucioneve dhe komunitetit ekonomik e publik të Bavarisë, ishin të pranishëm edhe personalitete të larta të jetës politike dhe ekonomike të rajonit, njofton helveticALforum.ch. Mes tyre ishin Ministri për Evropë dhe Çështje Ndërkombëtare i Bavarisë, Eric Beisswenger, Kryetari i Qytetit të Mynihut, Dominik Krause, si dhe Presidenti i Odës së Industrisë dhe Tregtisë për Mynih dhe Bavarinë e Epërme, Peter Inselkammer. Pjesëmarrja e Konsullit të Përgjithshëm Afrim Nura në këtë aktivitet përfaqëson një mundësi për forcimin e kontakteve dhe bashkëpunimit ndërmjet përfaqësive diplomatike dhe institucioneve të Bavarisë.

Oktoberfest, përveç karakterit të tij tradicional dhe kulturor, shërben edhe si një prej ngjarjeve më të rëndësishme publike të Mynihut, duke mbledhur çdo vit përfaqësues të shumtë nga politika, diplomacia, ekonomia dhe shoqëria.
Në këtë kuadër, pjesëmarrja e përfaqësuesit të Kosovës kontribuon në prezencën institucionale të Republikës së Kosovës në Bavari dhe në zhvillimin e marrëdhënieve me institucionet lokale dhe aktorë të ndryshëm të këtij rajoni. Aktivitetet e tilla krijojnë gjithashtu hapësira për takime dhe komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet përfaqësuesve të vendeve të ndryshme, duke i dhënë diplomacisë konsullore një dimension të rëndësishëm të bashkëpunimit dhe afrimit ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve, transmeton Konsullata e Përgjitshme e Kosovës në Mynih, përcjell helveticALforum.ch.










