Zëvendëskryeministri i parë thotë se do të jetë në Hagë për fjalët përmbyllëse të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së dhe vlerëson pjesëmarrjen e Kosovës në Konferencën e Sigurisë në Mynih
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se kur bëhet fjalë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nuk duhet të ketë ndarje partiake, por unitet qytetar.
Duke folur për marshin e së martës në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me drejtësinë në Hagë, Konjufca tha se ai është i drejtë dhe me një moto të qëlluar.
“Është jo politikë, por drejtësi. Duhet për ne, për Kosovën, por edhe për të gjithë ata që po përballen me këtë padrejtësi në Dhomat e Specializuara. Pjesëmarrja po duket se do të jetë e madhe. Ne duhet të tregojmë që jemi unik si popullatë dhe si qytetarë kur përballemi me akuza ndaj UÇK-së. Kur është puna për UÇK-në, nuk ka parti politike”, deklaroi ai në një intervistë për Radio Televizioni i Kosovës.
Konjufca bëri të ditur se do të udhëtojë për herë të tretë në Hagë për të ndjekur procesin përmbyllës, përkatësisht fjalët përmbyllëse të ekipeve mbrojtëse të Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli.
Ai e cilësoi aktakuzën ndaj ish-krerëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së si “skandaloze”, duke theksuar se qëndrimi i shtetit të Kosovës është i qartë: UÇK-ja është në themel të lirisë dhe pavarësisë së vendit.
“UÇK-ja ka dalë prej gjirit popullor. Nuk është krijuar nga larg dhe as me dekrete politike. Ka qenë zgjim popullor për të mbrojtur vendin nga gjenocidi serb. Kush pretendon se qëllimi i saj ka qenë spastrimi etnik apo eliminimi i figurave politike, bën një huqje të rrezikshme që synon të hedhë re të zeza mbi shtetësinë e Republikës së Kosovës”, u shpreh Konjufca.
Ai shtoi se beson fuqishëm në “pastërtinë e luftës” së UÇK-së dhe shprehu bindjen se në muajin prill aktakuzat do të hidhen poshtë si të paqëndrueshme.
“Unë besoj se krerët e UÇK-së do të kthehen në mesin e familjeve të tyre dhe do të fitojë Kosova. Nëse kjo ndodh, humbësja më e madhe do të jetë Serbia”, deklaroi ai.
Pjesëmarrja në Konferencën e Sigurisë në Mynih
Konjufca, së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci, po marrin pjesë në Munich Security Conference, një nga forumet më të rëndësishme globale për çështjet e sigurisë.
Ai theksoi se pas agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës në vitin 2022, politika e jashtme është e ndërlidhur gjithnjë e më shumë me sigurinë, prandaj prania e Kosovës në këtë forum është e domosdoshme.
Sipas tij, delegacioni i Kosovës ka zhvilluar dhjetëra takime me përfaqësues ndërkombëtarë, përfshirë senatorë amerikanë, përfaqësues të Turqisë, Estonisë dhe Malit të Zi, si dhe me përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Konjufca përmendi edhe takimin me Christian Schmidt, duke theksuar se stabiliteti i Bosnjës dhe Hercegovinës është me interes për Kosovën. Ai e vlerësoi pjesëmarrjen e delegacionit kosovar si të suksesshme, duke theksuar se në Mynih është prezantuar vizioni i Kosovës për mbrojtjen, ushtrinë dhe sigurinë rajonale, transmeton rtk.




