35 shtete që do të garojnë në “Eurovision Song Contest 2026” janë bërë publike për ngjarjen, e cila do të mbahet në Vjenë të Austrisë gjatë datave 12-16 maj 2026.
Ky edicion shënon 70-vjetorin e konkurimit muzikor më të madh në botë dhe do të organizohet nga transmetuesi mikpritës ORF në arenën Wiener Stadthalle.
Në listën e transmetuesve që do të dërgojnë artistë në konkurs është edhe RTSH nga Shqipëria, së bashku me media të tjera nga e gjithë Evropa dhe më gjerë, bëhet e ditur nga EBU – Unioni i transmetuesve publik të Evropës.
Ky edicion vjen në një kohë sfidash për konkursin: disa shtete si Spanja, Irlanda, Islanda, Sllovenia dhe Holanda kanë vendosur të bojkotojnë ngjarjen për arsye politike rreth pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision, duke u larguar nga ceremonia si formë proteste.
Megjithatë, EBU ka vendosur që konkursi të vazhdojë sipas planit dhe lista zyrtare e pjesëmarrësve është publikuar para Krishtlindjes.
Për këtë edicion janë futur edhe ndryshime në rregullat e votimit, duke përfshirë masa të reja për të forcuar transparencën dhe besueshmërinë e rezultatit, si dhe rikthimin e jurive profesionale në fazat paraprake.
35 vendet që do të përfaqësojnë transmetuesit e tyre publikë janë Shqipëria, Armenia, Australia, Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Izraeli, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Norvegjia, Polonia, Portugalia, San Marino, Serbia, Suedia, Zvicra, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar, transmeton rtk.




