Nga Prof. Dr. Mehmet Elezi, publicist, shkrimtar, gjuhëtar, diplomat
1.
“Kombi shqiptar” dhe “kombi kosovar”, pse kjo çorbë mediatike, a nuk jemi të tërë një komb shqiptar?
Kjo “çorbë” ka përgjithësisht prapavijë politike, por ndodh që është edhe çështje gjuhësore. Është shfaqur qysh fillim të viteve 1990, kur në disa media filloi me u folë për “shqiptarë” dhe “kosovarë”. Më pas një e përmuajshme lëshoi idenë e “dy kombeve shqipfolëse”. Ky “zbulim” rimerret kohë pas kohe e qitet në treg si mall origjinal.
Dikujt s’i intereson që shqiptarët në të dy anët e kufirit të afrohen vazhdimisht si shqiptarë, si pjesë të një trupi të çarë me shpatë. Dëshirojnë me i nda përfundimisht në “shqiptarë” e “kosovarë”. E kam përmendur edhe herë të tjera: në librin “Në gjuhë” dhe “për gjuhë” (Dukagjini, 1999), akademiku Rexhep Ismajli nënvizon sendërtimin ligjor të kësaj strategjie. Në tri kushtetutat e Jugosllavisë (1946, 1953, 1963) dhe në tri kushtetutat e Serbisë (1947, 1953, 1963), shqiptarët trajtohen si “kombe” të ndryshme. Shqiptarët e Jugosllavisë emërtohen Shiptari, gjuha shqipe kur flitet për ta emërtohet shiptarski jezik. Shqiptarët e Shqipërisë quhen Albanci, gjuha shqipe në Shqipëri albanski ose arbanski jezik. Në memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave e Arteve, 1986, që i shtroi rrugën Milosheviçit, fakti që këtyre dy “entiteteve”, “Shiptari” e “Albanci”, u qe lejuar me njësue gjuhën dhe flamurin, cilësohet “lëshim” që prek interesat serbe.
2.
“Çorba” ka edhe një anë gjuhësore.
Në shumicën e gjuhëve perëndimore për “komb” përdoret “nacion” (nation). Fjalë me gurrë latine, lidhet me foljen me le, me u lindë. Fjalën “nacion” në shqip e përkthejnë “komb”. Këtu shfaqet problemi. Duke qenë se në botën e sotme mungon një përkufizim i gjithëpranuar për kombin, në do gjuhë kuptohet ndryshe, në do të tjera ndryshe. Përmbledhtazi:
“Nation” në anglisht shpreh tërësinë e shtetasve të një vendi, pavarësisht nga prejardhja, gjuha amëtare, etnia, raca. Në këtë kuptim presidentët amerikanë flasin për kombin amerikan. Në kombin amerikan bën pjesë krejt popullsia e SHBA: të bardhë, të zinj, të verdhë, latinos, indigjenë…
“Komb” në shqip është tjetërsend. Për ne kombi shqiptar përbëhet nga të gjithë ata që gjuhën shqipe e kanë gjuhë nëne, që kanë rrënjë, gjak e histori të njëjtë dhe nderojnë të njëjtat simbole kombëtare. Pavarësisht nga pasaportat që mbajnë e shteti ku jetojnë.
Për “komb” gjuha shqipe ka fjalën e vet “lem”. “Me i dhanë lemit e polemit nji të keqe të msheftë…”, thuhet në Kanunin e Skanderbegut, mbledhur e kodifikuar nga imzot Frano Ilia. “Lem”, ashtu si “nation”, lidhet me foljen me le. Ndonëse me shtjellim jo plotësisht të saktë, këtë fjalë e kanë edhe fjalorët e Akademisë (marrë prej Gazullit). Fjala shqip ka mbetur në hije
3.
Nëse Mati Ahtisari e të tjerë kanë shqiptuar “kombi kosovar”, ata kanë pasur në mendje konceptin që bart fjala “nation” në anglisht.
Një përkthyes i saktë togfjalëshin anglisht “kosovar Nation” s’e përkthen “kombi kosovar”. E shqipëron “populli i Kosovës” ose “qytetarët e Kosovës”. Togfjalëshi “populli i Kosovës” nënkupton tërësinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës, shumicën shqiptare dhe pakicat serbe, turke, rome…, pra kombin sipas konceptit amerikan. Në këtë kuptim flitet për komb shumetnik (multiethnic nation) në Kosovë. Shqip mund të ishte më i saktë togfjalëshi “shoqëri shumetnike”.
Nëse “kombi shqiptar” qenka “komb më vete”, “kombi kosovar” edhe ky “komb më vete”, atëherë ku do të futeshin shqiptarët e Maqedonisë, të Luginës së Preshevës, të Malit të Zi, cila do të ishte përkatësia kombëtare? Apo do të quheshin thjesht maqedonë, serbë, malazezë dhe do të asimiloheshin?
8 dhjetor 2014
(nga libri “Gjuha e medias” dhe ‘lemëza’”).




