Portieri i kombëtares së Polonisë, Lukasz Skorupski, ka pësuar një dëmtim në një moment shumë delikat, vetëm pak ditë para nisjes së ndeshjeve “play-off” për Kupën e Botës 2026 kundër Shqipërisë. Gardiani 34-vjeçar u dëmtua në minutat e fundit të ndeshjes së fundjavës, ndërsa sipas raportimeve fillestare bëhet fjalë për një problem muskulor në këmbën e majtë. Megjithatë, situata duket më serioze sesa u mendua në fillim.
Sipas TVP Sport, shanset që Skorupski të rikuperohet në kohë janë minimale. Madje, ai thekson se mundësia që portieri të bashkohet me ekipin në grumbullim është shumë e vogël, ndërsa aktivizimi në ndeshje duket pothuajse i pamundur. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe agjenti i tij, Daniel Kaniewski, i cili ka përjashtuar pjesëmarrjen në “play-off”. Sipas tij, dëmtime të tilla zakonisht kërkojnë disa javë pushim, ndërsa gjendja aktuale e lojtarit nuk është ende e qëndrueshme.
Kjo situatë përbën një problem serioz për trajnerin Jan Urban, duke qenë se Skorupski ka qenë zgjedhja e parë në portë në ndeshjet më të rëndësishme sa herë ka qenë në formë.
Fatkeqësisht, kjo nuk është hera e parë që portieri përballet me probleme fizike kohët e fundit, pasi ai mungoi edhe në grumbullimin e nëntorit 2025 për shkak të një tjetër dëmtimi./BS




