Zëvendëskryeministrja, Albana Koçiu, deklaroi sot se integrimi në Bashkimin Europian nuk është një rrugë me një drejtim të vetëm, por një proces i ndërtuar mbi shkëmbimin e vlerave dhe forcimin e identitetit kombëtar.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Koçiu u shpreh se integrimi i qëndrueshëm në familjen europiane nuk ndërtohet vetëm mbi institucione funksionale, por edhe mbi identitete të forta.
Ajo vuri në dukje se deri më sot narrativa e integrimit është fokusuar kryesisht tek përfitimet që vendi ynë do të marrë nga anëtarësimi në BE, si fondet strukturore, tregu i përbashkët, lëvizja e lirë dhe standardet demokratike.
Por sipas saj, Shqipëria nuk shkon në BE thjesht si vend përfitues, por si një kontribuese me identitet të fortë, me kokën lart, si një komb që respekton të shkuarën teksa ndërton të ardhmen, duke sjellë me vete histori, traditë dhe kulturë të rrallë, vlera që pasurojnë vetë projektin europian.
“Pyetja nuk është më vetëm se çfarë përfitojmë ne nga BE, por edhe se çfarë i sjellim ne Evropës. Shqipëria nuk aderon në BE vetëm si një vend që aspiron standardet, por si një komb që sjell me vete histori, traditë dhe kulturë të rrallë, duke i dhënë kuptim vetë motos së BE-së, ‘Të bashkuar në diversitet’”, u shpreh Koçiu.
Zv/kryeministrja nënvizoi gjithashtu rolin e kulturës si një instrument të fuqishëm zhvillimi dhe diplomacie, që ndikon drejtpërdrejt në forcimin e imazhit ndërkombëtar të vendit.
Ajo theksoi se krahas progresit në reforma, narrativa e integrimit duhet të pasurohet me një dimension të ri, duke e parë Shqipërinë si një vend që sjell vlera të veçanta në projektin europian.
“Ky është vizioni për Shqipërinë 2030: një Shqipëri plotësisht europiane në standarde, institucione dhe qeverisje, dhe një Shqipëri thellësisht shqiptare në identitet, kulturë dhe shpirt”, përfundoi Koçiu, transmeton rtsh.




